BOTA, 7 Tetor 2021, 16:56

Tërmet në Pakistan, dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur

Tërmet në Pakistan, dhjetëra të vrarë dhe qindra

Të paktën 23 veta kanë humbur jetën dhe mbi 200 kanë mbetur të plagosur nga pasojat e një tërmeti të fuqishëm prej 5.7 të shkallës, që goditi Pakistanin jugperëndimor të enjten herët në mëngjes.

Shërbimi Gjeologjik amerikan tha se epiqendra e tërmetit ishte rreth 100 kilometra në perëndim të kryeqytetit të provincës Kueta, afër kufirit me Afganistanin.

Qyteti i minierave të qymyrit Harnai, në provincën Baluchistan, pësoi goditjen më të rëndë nga tërmeti, i cili rrënoi 100 shtëpi të ndërtuara me baltë, duke bllokuar brenda shumë banorë që ishin duke fjetur. Pamjet televizive shfaqën njerëz që iknin nga shtëpitë e tyre në panik. Autoritetet thonë se shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Zyrtarët thanë se do të duhet kohë për të arritur në shumë nga zonat më të goditura në rajonin e minierave të qymyrit. Ushtria pakistaneze tha se trupat dhe helikopterët e saj, po ndihmonin autoritetet civile në përpjekjet e shpëtimit.

Ndërprerja e energjisë elektrike, detyroi punonjësit e shpëtimit të përdorin elektrikët e dorës për të trajtuar të plagosurit në spitale.

Autoritetet thanë se dridhjet e fuqishme shkaktuan rrëshqitje dheu në dy vende në autostradën kryesore, që lidhë Kuetën me Harnain.