Desktop - General - 1
AKTUALITET, 2 Prill 2019, 23:28

1.4 milionë euro borxhe, ja çfarë thonë të arrestuarit për Radovanin

1.4 milionë euro borxhe, ja çfarë thonë të

Kanë dëshmuar personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Maranaj” si pjesë e grupit të fajdexhinjve në Shkodër, të cilët dyshohen për dhënie fajdesh ndaj djemve dhe vetë ish-prefektit të Shkodrës Paulin Radovani. Mësohet se të gjithë të dyshuarit dhe avokatët mbrojtës të tyre kanë kërkuar që për ta gjykata të vendos masën lehtësuese të sigurisë “detyrim paraqitje” dhe të hetohen të lirë sepse s’janë persona të rrezikshëm.

Pas seancës që u zhvillua prej 4 orësh ditën e sotme në Apelin e Shkodrës, prokurori Brahim Dragjoshi, lehtësoi masën e sigurisë “arrest me burg”, për shtetasit, Naim Ahmeti, Adri Bala dhe Lulzim Sylja.

Për 9 të tjerët i qëndroi kërkesës për “arrest me burg”. Gjykata e Apelit shtyu vendimin përfundimtar më 3 prill në orën 14:50.

I arrestuari Bërhan Alija u përfaqësua nga avokati i tij, i cili mohoi se klienti i tij i ka dhënë para me fajde ish prefektit apo dy djemve të tij. Avokati i Alijas pranoi vetëm blerjen e një makine. Avokati mbrojtës tha se në mënyrë të padrejtë dhe të jashtëligjshme janë sekuestruar të gjitha makinat që ndodheshin tek servisi që Alija posedon në hyrje të qytetit.

Avokati mbrojtës i ish-kancelarit të gjykatës Artan Dragani u shpreh se klienti i tij duke patur lidhje miqësore me djemtë e ish prefektit i ka dhënë një shumë parash për t’i ndihmuar në situatën e vështirë ekonomike por jo me shtesë ose siç quhen me fajde.

Edi Memçaj në dëshminë ë tij nuk pranoi të ketë dhënë para me fajde kundrejt djemve të ish prefektit Paulin Radovani.

“Jam munduar të shtoj bizneset sepse më ka lënë pasuri babai dhe i kam trashëguar dhe jo si Paulin Radovani që i çon djemtë te droga, kumari apo i përdor paratë për blerje votash. Sa borxhe ka ish prefekti nuk e nxë as burgu i Shën Kollit dhe s’do ketë burg që e nxë. Unë nuk e di me kë jam në grup se nga të ndaluarit veç dy-tre kam një njohje dhe asgjë më shumë. Paratë i kam kaluar me banka dhe jo si Paulini që i ka fshehur. E dini ju se ka futur një djalë jetim të marrë në emrin e tij 250 mijë euro kredi në bankë. Janë fotot e djemve të ish prefektit duke marrë drogë, duke luajtur kumar, çfarë faji kam unë se i kam blerë pronat,”– mësohet të jetë shprehur Memçaj.

Avokati mbrojtës i Marjan Bregut, e quajti skemë piramidale atë që ka bërë ish-prefekti Radovani.

“Marjan Bregu, mësues në shkollën e mesme “Jordan Misja”, peshëngritës i Vllaznisë i ka patur shokë djemtë e ish prefektit dhe sot është i arrestuar dhe ata që kanë mashtruar janë të lirë. Duke patur lidhje shoqërore i ka ndihmuar duke i dhënë para borxh por asnjëherë me fajde. Përgjimet ambjentale të pretenduar janë të jashtëligjshme sepse ish prefekti herë e ka mbajtur ndezur regjistruesin herë e ka fikur sipas dëshirës,”- tha avokati mbrojtës.

Avokati i të arrestuarit Lulzim Sylja pranoi se klienti i tij ka dhënë një borxh prej 120 mijë euro.

“Është e pavërtetë që Lulzim Sylja ka kërcënuar ish-prefektin siç pretendohet. Pasi Lulzim Sylja i ka kërkuar lekët e borxhit ish-prefekti i ka ofruar një tokë të një ish-fabrike në Pukë për t’ia shitur duke marrë parasysh edhe shlyerjen e borxhit. Lulzim Sylja ka thirrur një mik të tijin, shtetasin Naim Ahmeti duke i treguar për këtë rast dhe ky i fundit ka rënë dakord për ta blerë atë tokë”, tha ai.

“Pasi është bërë kontrata në drejtorinë e tatimeve ka rezultuar një shumë prej 45 milion lekësh të vjetër tatim-taksa që duhej paguar. Ish prefekti s’ka pranuar ta paguaj atë shumë që i detyrohej shtetit dhe kështu marrëveshja mes tyre është prishur për shtijen e tokës duke i mbetur sërish borxh prej 120 mijë euro,”vijoi avokati i Syljas.

Ilir Sokoli, ish drejtori i patentave në Shkodër është shprehur nëpërmjet avokatit të tij se ka qenë shumë mik me djemtë e Radovanit. Avokati mbrojtës u shpreh se është qesharake që prokuroria ngre këto akuza me qëllim që të justifikojë masat e sigurisë, një histori që përsëritet prej 30 vitesh.

“Organi i akuzës s’ka bërë hetim,”-tha avokati i Ilir Sokolit dhe tregoi se 25 mijë euro ia ka dhënë borxh për të paguar pagat e punëtorëve të fabrikës. Vetë ish drejtori Sokoli dëshmoi se përveç faktit se i ka patur miq Robert dhe Elton Radovanin tregoi se e ka takuar ish-prefektin duke i thënë se çfarë do që të bëjë me ata që familja Radovani i ka borxhe.

Ilir Sokoli tregoi se ka qenë vetë ish-prefekti që i ka kërkuar të futet si ndërmjetës tek shtetasi Vinko Nikprelaj në mënyrë që ky i fundit të blente një tokë që kishte familja Radovani tek fabrika e tyre. Ai vijoi më tej duke thënë se e ka ditur se është në përgjim ndërsa edhe pas dy muajsh e ka mbajtur po të njëjtin nummër celulari sepse s’ka patur arsye ta ndërrojë, pasi ishin miq.

Shtetasi Vinko Nikprelaj nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ka treguar se sipas tij përgjimet ambjentale të ish prefektit janë të paligjshme dhe u shpreh se në fabrikën e tij ku janë regjistruar të ndaluarit kanë shkuar edhe deputetë për ta takuar, edhe Presidenti aktual i Republikës dhe shumë personazhe të tjerë.

Avokati i Nikprelaj tha se klienti i tij i ka blerë një tokë prej 140 mijë euro dhe paratë ia ka kaluar me bankë dy ditë para se të ndalohej. “Është i pavërtetë pretendimi i ish prefektit se në aktshitje është shkruar 140 mijë euro dhe jo 240 mijë euro sepse 100 mijë të tjera kanë qenë fajde në favor të Nikprelaj,”- u shpreh avokati që theksoi më tej se klienti i tij ka marrë kredi për të shlyer këtë shumë me të cilën ka blerë tokën.

Edhe për shtetasin Elidon Qerimaj avokati mbrojtës pranoi se i ka dhënë djemve të ish prefektit Radovani, fillimisht 18 mijë euro Robertit dhe më pas 5 mijë euro Eltonit por për t’i ndihmuar për shkak të lidhjeve shoqërore.

Nga ana tjetër, i arrestuari Pashko Vuksanelaj, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës tregoi se borxhin ia ka dhënë me 3 përqind në vit duke qenë se këtë hua e njeh ligji. Sipas avokatit të Vuksanelaj nga janari i këtij viti dhe deri në fillim të marsit ish prefekti Radovani rezulton se ka marrë vetëm në një muaj e gjysëm 1 milion e 400 mijë euro vetëm borxhe, këtyre të ndaluarve por edhe personave tjerë që s’janë fare pjesë e këtij procesi.