AKTUALITET, 28 September 2026, 18:27

Zjarr në Karicë të Matit, flakët përhapen nga livadhi drejt pyllit me dushqe, zjarrfikësit në terren

Një vatër zjarri është aktivizuar pasditen e sotme në fshatin Karicë, në Njësinë Administrative Baz, në Bashkinë Mat.

Dyshohet se flakët kanë nisur fillimisht në një livadh, ndërsa të favorizuara nga era e fortë janë përhapur me shpejtësi drejt një masivi pyjor me dushqe.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e shërbimit zjarrfikës, të cilët po punojnë për neutralizimin e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në drejtim të banesave.

Terreni, i cili favorizon përdorimin e mjeteve zjarrfikëse, pritet të ndihmojë në përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.

Për momentin, situata po monitorohet nga shërbimet në terren, ndërsa mbetet rreziku që zjarri të përparojë drejt zonave të banuara.

Ndërkohë, policia pritet të nisë hetimet për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit dhe identifikimin e personit përgjegjës, nëse do të konfirmohet se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.