AKTUALITET, 15 Janar 2020, 13:03

Zbardhet SKANDALI/ KLGJ kishte dijeni për lirimin e Indrit Dokles dhe s’veproi, dy shkresat që ‘njoftuan’ ç’po gatuhej në Krujë

Zbardhet SKANDALI/ KLGJ kishte dijeni për lirimin e Indrit Dokles dhe


Vendimi është marrë nga ana e Gjykatës së Krujës. Arsyetimin e dhënë nga gjykata për këtë vendim gazeta “Si” do të sjellë në më të detajuar në vazhdim.

Por, mësohet se Gjykata e Krujës fillimisht i ka konvertuar burgun përjetë në burg me 25 vite burg për sjellje të mirë dhe më pas ka urdhëruar lirimin e tij, me arsyetimin se ka kryer tre të katërtën e dënimit, po me arsyetimin për sjellje të mirë.

Ajo që është e sigurtë, vendimi nuk shpërfill vetëm dënimin me burg përjetë për të, por edhe një dënim që i Indrit Dokle e ka marrë në vitin 2013 me 16 vite burg për drejtimin e një organizate kriminale nga qelia ku vuante burgun përjetë.

Indrit Dokle kishte krijuar emrin si një prej anëtarëve më të dhunshëm dhe më të rrezikshëm të Bandës së Durrësit. Të gjitha krimet e tij u zbuluan gjatë procesit gjyqësor nga Adriatik Coli, i penduari i kësaj bande dhe një person i paguar për të vrarë armiqtë e bandës famëkeqe të Durrësit.

Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit. Vulën e anëtarëve të saj dyshohet se mbajnë një sërë vrasjesh të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrushbull të Durrësit.

Në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht, në zonën e Plazhit. Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit.

Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles, akuzohet për vrasjen e Avni Gashi, më 13 tetor 2005, në Tiranë.

Më 30 tetor 2005, organizata e Indrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit ‘Qemal Stafa’, shtetasin Ilir Koldashi. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë, si shtetasit Elvin Hoxhosmani, Selman Heti, Spartak Kalthi dhe Alban Neli.