AKTUALITET, 14 Korrik 2021, 13:50

Vrasja e Klodian Rashës/ Gjykata e Tiranës dënon me vetëm 10 vite burg ish-policin Nevaldo Hajdaraj

Vrasja e Klodian Rashës/ Gjykata e Tiranës dënon me vetëm 10


Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për ish-policin Nevaldo Hajdaraj, që vrau të riun, Klodian Rasha në rrugicën e shtëpisë së tij.

Gjykata e ka dënuar me 15 vite burg Nevaldo Hajdarajn, por ai do të kryejë vetëm 10 vite burg për shkak se ka përfituar gjykim të shkurtuar.

Gjatë seancës së sotme, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale, nga "Vrasje me dashje" në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” si dhe kërkoi që i riu të dënohet në minimum, kërkesë që nuk u pranua. Ndërkohë që vetë Hajdaraj nuk foli gjatë seancës.

Babai i Klodian Rashës ka komentuar i zhgënjyer  vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila dënoi sot me 15 vite burg ish-policin e "Shqiponjave".

Qazim Rasha tha se "kjo njollë e zezë nuk do i hiqet shtetit" dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe gazetarëve të ruajnë fëmijët.

Do vijë momenti që do ti themi gjërat. Sot është momenti. Dua tju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë të ri në rrugicën e shtëpisë së vetë.

Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im një, fëmija im iku, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve.

Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj.

Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar. Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet.

Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush”, deklaroi Qazim Rasha.