AKTUALITET, 8 Janar 2021, 17:59

Vizita në Athinë, Rama drekon në shtëpinë e Mitsotakis

Vizita në Athinë, Rama drekon në shtëpinë e Mitsotakis

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Greqi. Homologu i tij Kyriakos Mitsotakis organizoi një drekë në shtëpinë e tij për kreun e Qeverisë shqiptare.

Në pamjet që kanë publikuar mediat greke, në drekë ndodhej Edi Rama, Mitsotakis, ministri i Jashtëm Nikos Dendias dhe Eleni Sourani, ish-ambasadore e Greqisë në Shqipëri, aktualisht drejtore e Diplomacisë në zyrën e Kryeministrisë helene.

Mitsotakis dhe Rama shprehën kënaqësinë për përmirësimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, ndërkohë që kjo është vizita e dytë në Greqi e kryeministrit shqiptar brenda pak muajsh, gjë që nuk kishte ndodhur gjatë këtyre shtatë vitesh qeverisje nga ana e tij.

Edi Rama në një postim në rrjetet sociale thekson se në tryezë gjatë drekës është diskutuar për situatën nga koronavirusi, marrëdhëniet mes dy vedeve dhe vullnetin e plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej.

“Falenderues për shijen e shkëlqyer të mikpritjes në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis, ku bëmë një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale!

Vullnet i plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike” shkruan Edi Rama./