TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia e Shtetit në një deklaratë për mediat ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Lulzim Berisha dhe Ardian Çapja burimin dhe justifikimin e pasurisë së tyre.
Në një deklaratë për mediat, policia ka deklaruar se u ka kërkuar këtyre dy personave që të deklarojnë brenda 48 orësh pasurinë e tyre.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, informojmë opinionin publik se në zbatim të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë, subjekteve:
- L. B., 49 vjeç, lindur dhe banues në rrugën ‘Adria’, Durrës, drejtues i një grupi kriminal, autor i veprave penale ‘Grupi i strukturuar kriminal’, ‘Trafikimi i narkotikëve’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’. Ky shtetas, në vitin 2012 është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht.
- A. Ç., 52 vjeç, i arrestuar në flagrancë për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë’ dhe ‘Armëmbajtja pa leje’. Ky shtetas dyshohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje. Dyshohet se ky shtetas, së bashku me të afërm të tij ka kryer vrasje me pagesë, në periudhën 2009-2016.
Si subjekt i Ligjit Special, këta individë duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.
Sqarojmë se me marrjen e masës së sekuestros, çdo biznes, mjetet motorike apo tokat në pronësi të subjekteve administrohen nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme.
Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, po as mund të shitet, të blihet apo të jepet me qira nga subjekti.