AKTUALITET, 3 Shkurt 2018, 10:30

VIDEO/Kamera dhe tunele, shtëpia e veçuar e organizatorit të vrasjes së Devi Kasmit, ja ku i fshihte armët

Baza e grupit kriminal që mori pjesë në atentatin e Devi Kasmit të hënën në mbrëmje ishte zgjedhur në një zonë strategjike nga ana e Aurel Hoxhallarit, i cili është shpallur në kërkim nga policia si organizatori i grupit.

Gazeta Shqiptare ka qenë sot në këtë banesë, ku një ditë më parë ka qenë e rrethuar nga uniformat e shumta të policisë, brenda së cilës u gjet një arsenal i madh armësh.

Larg vëmendjes së njerëzve, një zonë e izoluar mes dy kodrave në Kodër-Mzez dhe kamera sigurie, ndërkohë që anash saj ka tunele, që përdoreshin nga Hoxhallari për fshehjen e armatimeve që përdoreshin për llogari të grupit kriminal.

Gazetarja Dorjana Bezat ka bërë të ditur se 41-vjeçari Aurel Hoxhallari ka edhe dy banesa të tjera. Ajo ka bërë të ditur se jo vetëm kjo shtëpi, por edhe zona përreth saj shërbente si bazë për të fshehur arsenalin e armëve, siç ishin edhe tunelet pas shtëpisë.

“Kjo banesë ka 5-6 vite që është ndërtuar, ndërkohë që ka të tjera në zona periferike, njërën në Yzberish dhe një tjetër te zona e Astirit. Në çdo cep të shtëpisë ka kamera sigurie. Tunelet janë pas shtëpisë, janë të ndërtuara para viteve 90. Thuhet se tunelet kanë qenë në emër të Aurel Hoxhallari, i cili është në kërkim dhe me 3 producentë penale.

Të arrestuarit:

4 persona u arrestuan ditën e djeshme, pikërisht Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë, Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi, Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë, Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë.

Ndarja e “punëve”

Policia thotë se është shpallur në kërkim 41-vjeçari (Altin) Aurel Hoxhallari, lindur e banues Tiranë. Ai dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal. Elton Halipaj ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Devi Kasmit. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes. Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes.

Grupi kriminal rrinte në një vilë në periferi të Tiranës, ku është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizonit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi, etj.

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

– 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit

– 4 armë automatikë

– 2 snajper

– 4 pushkë automatike

– 1 armë antitank me 2 predha

– 1 bombë me telekomandim në distancë

– sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol

– 4 radio marrëse

– 1 dron

– 110 kg kanabis

– 2 maska

Grupi i punës vijon me intensitet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të.

Policia e Shtetit, duke falënderuar qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri më të mirë dhe të sigurt.