AKTUALITET, 5 Janar 2020, 17:50

Vendi “mbërthehet” nga acari, Tanja Porja: Temperaturat do të ulen ndjeshëm, era e fortë do të vazhdojë deri…

Vendi “mbërthehet” nga acari, Tanja Porja: Temperaturat do


Fillimi i javës do ta gjejë vendin me mot të acartë. Meteorologia e “MeteoAlb”, Tanja Porja deklaroi për “FaxNews” se duke nisur nga nesër, temperaturat do të ulen ndjeshëm. Sa i takon erës së fortë që ishte sot prezente gjatë gjithë ditës, Porja u shpreh se ajo do të vijojë deri të mërkurën.

“Parashikimi për orët dhe ditët në vijim: era, do vijojë të fryjë mesatare dhe shpesh e fortë, me shpejtësi deri 70 km/h në territor, por herë pas here mbi 80 km/h në zonat bregdetare; në det të hapur era arrin shpejtësi mbi 90 km/h.

Kjo situatë problematike e erës do të mbetet edhe gjatë së hënës dhe të martës ndërsa pritet dobësim i ndjeshëm i erës në orët e para të ditës së mërkurë.

Temperaturat e ajrit për orët në vijim, por edhe gjatë dy ditëve të para të javës që vjen, do të ulen ndjeshëm (ky është edhe shkaku i kësaj ere të fortë) megjithatë e marta në mesnatë sjell rritje të ndjeshme të temperaturave, rritje që vijon në pjesën e dytë të javës tjetër”, tha meteorologia.

Ndërsa reshjet e dëborës do të jenë të pakta mbrëmjen e sotme. “Reshjet priten të pakta, në formë dëbore sonte, por e hëna dhe në vijim deri fundjavën tjetër, kryesisht do të jetë me kthjellime”, deklaroi Tanja Porja.