AKTUALITET, 8 Dhjetor 2020, 08:56

Policia qëllon për vdekje një 25 vjeçar, nisin hetimet për zbardhjen e ngjarjes

Policia qëllon për vdekje një 25 vjeçar, nisin hetimet


Një 25 vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri mesnatën e së hënës nga një efektiv policie.

Viktima është Klodjan Rasha, i cili është qëlluar për vdekje në rrugën “Dritan Hoxha”.

Sipas efektivit të policisë, i riu është qëlluar pasi nuk i është bindur urdhrit të policisë, por lidhur me këtë do të ketë një hetim të SHÇBA dhe Prokurorirsë së Tiranës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45. Gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, është konstatuar një shtetas i cili, sipas policisë, "kryente veprime të dyshimta dhe nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar".

Familjarët e 25 vjeçarit pretendojnë se ai nuk ka patur armë zjarri me vete.

Ndërkohë, Avokati i Popullit ka bërë thirrje për hetimin e plotë të ngjarjes.

Reagimi i plotë:

AVOKATI I POPULLIT HETON MBI RASTIN E VRASJES SË NJË TË RIU NGA POLICIA

Avokati i Popullit u njoh mëngjesin e sotëm nga mediat me lajmin e vrasjes së një të riu me iniciale K.R, 25 vjeç nga një punonjës i Policisë së Shtetit me armë zjarri.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është përfshirë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Prokuroria.

Ndërkohë nga Avokati i Popullit ky rast do të ndiqet me prioritet në vijim, me qëllim zbardhjen sa më shpejt të së vërtetës, duke u kryer një hetim i plotë e i gjithanshëm nga organet kompetente.

E drejta për jetën e çdo njeriu duhet të prevalojë në çdo rrethanë e situatë e të mbrohet me ligj!