LIFESTYLE, 9 Mars 2020, 13:37

U lajmërua anulimi i të gjitha aktiviteteve, reagojnë organizatorët e koncertit të Malumës: S’është e vërtetë


Ditën e sotme u bë me dije se janë anuluar të gjitha aktivitetet për Ditën e Verës. Më 14 mars ishte planifikuar të mbahej dhe koncerti i këngëtarit të famshëm kolumbian, Malumës. Por, pas vendimit të qeverisë, të gjitha aktivitetet në turma të hapura janë pezulluar deri në datën 3 prill.

Megjithatë në një reagim në rrjete sociale, një nga organizatorët e koncertit të shumëpritur të këngëtarit kolumbian, ka theksuar se duhet të presim deri në një njoftim zyrtar, duke theksuar se nuk është e vërtetë që është anuluar koncerti.

Lajmërim. Ju lutem prisni një njoftim zyrtar nga organizatorët e koncertit. Janë publikuar nga portalet që koncerti është anuluar dhe s’është e vërtetë. C’do gjë do të bëhet e ditur së shpejti,”-shkruan një nga organizatorët në rrjete sociale.

Të gjithë fansat e Malumës ishin në pritje të koncertit madhështor, që ishte planifikuar me detaje dhe pritej të zhvillohej në 14 mars. Por, mbërritja e virusit vdekjeprurës në Shqipëri ka bërë që të anulohen të gjitha aktivitetet. Ditën e sotme janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri. Dy personat e infektuar janë V.K dhe P.K, pëkatësisht 54 dhe 28 vjeç, të cilët kanë ardhur nga Firence e Italisë.  Sipas Ministrisë së Shëndetësisë,  dy personat e infektuar ndodhen në spitalin infektiv në QSUT dhe gjendja e tyre është e stabilizuar. Në karantinë janë futur edhe të afërmit e dy personave të infektuar. Rama deklaroi sot se institucionet shkollore do të mbyllen për 2 javë, deri më datën 3 prill.