TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Festë e pazakontë e presidentit të Dinamos, Adrian Bardhi, pas fitores ndaj Audës, që i dha skuadrës kualifikimin për në play-off-in e Conference League.

Pamjet e regjistruara në dhomat e zhveshjes pesë ditë më parë, të cilat po qarkullojnë në rrjetet sociale, tregojnë tufa parash që nxirren nga qese plastike dhe hidhen në tokë mes lojtarëve, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit financiar të klubit dhe burimin e fondeve të dhëna si shpërblim.

Paratë cash janë prezantuar si shpërblim nga presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, për futbollistët pas fitores ndaj skuadrës letoneze Auda, rezultat që i dha Dinamos kualifikimin për herë të dytë në histori në fazën play-off të Conference League.
Në pamjet nga dhomat e zhveshjes, lojtarët shfaqen duke festuar dhe duke tundur kartëmonedhat, ndërsa atmosfera është e mbushur me entuziazëm pas suksesit të skuadrës.
Përtej mënyrës së festimit, pikëpyetjet kryesore lidhen me aspektin financiar të këtyre pagesave: nga vijnë paratë cash, cili është burimi i tyre, nëse janë deklaruar dhe, në rast se janë dhënë si shpërblim për lojtarët, nëse janë tatuar sipas legjislacionit në fuqi.
Pikërisht për këtë çështje ka reaguar në rrjetet sociale deputeti socialist Erion Braçe, i cili është edhe propozues i një ligji për sponsorizimin e sportit, të paraqitur në nëntor.
Braçe ka shprehur shqetësimin për informalitetin në sport, veçanërisht në futboll, duke argumentuar se sponsorizimi i klubeve duhet të bëhet përmes mekanizmave të ligjshëm dhe me transparencë financiare.
“Pas këtyre pamjeve, realisht nuk di ai t’i mbushë mendjen ministrit të Financave për ta pranuar atë ligj.
Thelbi i tij është që një pjesë nga fitimet e çdo kompanie t’i shkojnë sportit, POR NË RRUGË TË LIGJSHME E NË BILANCE TRANSPARENTE E TË PASTRA TË SPORTIT”, ka shkruar Braçe.
Ndërkohë, presidenti i Dinamos u ka premtuar futbollistëve një bonus prej 500 mijë eurosh nëse skuadra arrin të eliminojë qipriotët e Pafos dhe të sigurojë kualifikimin në fazën e ligës së Conference League.
Ndeshja e parë ndaj Pafos do të luhet më 20 gusht në “Elbasan Arena”, ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet më 27 gusht në Qipro.
Nëse Dinamo arrin të kalojë edhe këtë përballje, skuadra do të sigurojë një tjetër sukses të rëndësishëm në aventurën e saj evropiane.