BOTA, 1 August 2026, 21:14

Shpërthim pranë një kafeneje në qendër të Moskës, 3 të vdekur dhe 15 të plagosur (Video)

Tre persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi të ndodhur pranë një kafeneje në qendër të Moskës, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, duke cituar burime zyrtare.

Shpërthimi ndodhi në afërsi të një kafeneje në sheshin Kudrinskaya, duke shkaktuar panik mes qytetarëve që ndodheshin në zonë. Menjëherë pas incidentit, vendngjarja u rrethua nga forca të shumta të Ministrisë së Brendshme dhe ekipet e emergjencës, të cilat ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.

Ministria ruse e Shëndetësisë konfirmoi se të gjithë të lënduarit janë transportuar në spital, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ndërkohë, disa media dhe blogerë rusë raportojnë se në një restorant luksoz pranë vendit të shpërthimit po festonte ditëlindjen Alexander Chaiko, komandanti i përgjithshëm i Forcave Hapësinore Ruse. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për praninë e tij në vendngjarje apo për ndonjë lidhje të mundshme me shpërthimin.

Autoritetet ruse kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e incidentit.