AKTUALITET, 3 Shtator 2020, 12:38

Tritan Shehu: Përgjegjësi e Rilindjes ky pozicion i disfavorshëm ndaj Greqisë dhe rajonit

Tritan Shehu: Përgjegjësi e Rilindjes ky pozicion i disfavorshëm


"Është përgjegjësia e tij dhe e politikës së Rilindjes që sot ndodhemi në këto pozicione të disfavorshme jo vetëm ndaj Greqisë, por në tërësi me humbjen e rolit tonë thelbësor për stabilitetin e rajonit".

Kështu gjykon Tritan Shehu, ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, tek analizon trazirat që ka shkaktuar në politikën brenda vendit dhe në rajon, Kryeministri socialist Edi Rama, sidomos për pranimin e zgjerimit të Greqisë me 12 milje në detin Jon.

"Rama dje kërkoi të lajë duart si Pilati për Marrëveshjen e Detit, - e nis shënimin e tij Shehu.

- Rama, që gjeneroi atë histeri ndaj marrëveshjes së favorshme për të dy vendet, të vitit 2009 (ishte për 6 milje), ai që shkatërroi qëllimisht marrëdhëniet tona strategjike me Greqinë duke marrë rolin e “cubit” të transformuar më tej me këngë e valle në atë të kapitullantit, tentoi të lajë duart duke menduar se kështu del pa lagur nga vorbulla ku e ka futur tashmë veten, por fatkeqësisht dhe vendin!

Është përgjegjësia e tij dhe e politikës së Rilindjes që sot ndodhemi në këto pozicione të disfavorshme jo vetëm ndaj Greqisë, por në tërësi me humbjen e rolit tonë thelbësor për stabilitetin e rajonit, duke ia kaluar këtë Vuçiçit, që po e përdor Kryeministrin tonë vetëm si tellall të projekteve serbomadhe prej Shengenit Ballkanik, tek “territoret” e deri te zhvillimet në Mal të Zi", deklaron Shehu.

"Dhe tani i ndodhur si ai midis dy padronëve, kërkon të lajë duart duke ikur me bisht nën shalë.

Këtu ka diçka pozitive, sa më pak të përzihet në këto pak muaj që i kanë mbetur atij e kësaj qeverie në ikje në çështjet rajonale apo të politikës së jashtme, më pak zullume të reja do të lërë mbas.

Në fakt, shumë të tilla ka krijuar me pasojë edhe zbehjen e marrëdhënieve me Italinë, Gjermaninë etj, korrigjimi i të cilave do të realizohet vetëm pak muaj më tej nga qeveria Basha",-shprehet Shehu.