AKTUALITET, 27 September 2026, 17:34

Tragjedia në familjen shqiptare që humbi 4 anëtarë gjatë pushimeve në Greqi, mbërrijnë në Athinë të afërmit e viktimave

Ato që ishin planifikuar si pushime familjare për vëlla e motër, bashkë me partnerët e tyre, shqiptarë që jetonin në Amerikë, u kthyen në tragjedi pas një shpërthimi dhe shembjes së godinës ku ata po qëndronin në Greqi.

Viktimat u identifikuan si Florin Hoxha, motra e tij, Florida Hoxha, Eris Cani, bashkëshortja e Florin Hoxhës, Ian Alexander Kirpatrick, bashkëshorti i Florida Hoxhës, si dhe pronarët e ndërtesës, Edmond Hings dhe Athina Papapresku.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e premte, ndërsa sot familjarët e viktimave kanë mbërritur në Greqi, pasi u thirrën nga autoritetet kompetente të Shërbimit Mjeko-Ligjor të Athinës, me qëllim sigurimin e materialit gjenetik për krahasimin e ADN-së dhe përfundimin e procesit të identifikimit të trupave.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi shpërthimin e fuqishëm që shembi godinën që shërbente si vend akomodimi për turistët.

Për të tretën ditë, një ekip i Shërbimit Helenik të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, i përbërë nga dhjetë oficerë të specializuar, po kryen kontrolle të hollësishme, duke mbledhur dhe vlerësuar çdo element që mund të kontribuojë në përcaktimin e rrethanave të tragjedisë.

Hetimet nga autoritetet kompetente për shkaqet e shpërthimit janë përqendruar në apartamentin në katin e dytë, ku jetonte çifti i të moshuarve, pasi, sipas informacioneve të deritanishme, ka një tregues të fortë se shpërthimi ka ndodhur aty.

Sipas informacioneve nga burime kompetente, ky apartament ishte i vetmi që kishte furnizim me gaz natyror, i cili përdorej për kuzhinën dhe një sobë.

Megjithatë, siç u bë e ditur, gjithçka do të duhet të dokumentohet për të përcaktuar nëse shpërthimi u shkaktua nga një rrjedhje gazi natyror.