TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Të tjera detaje dalin në dritë nga krimi i dyfishtë i ndodhur sot në Tiranë, ku një i ri vrau ish-të dashurën dhe më pas veten. Ngjarja tragjike ndodhi në “Don Bosko” të kryeqytetit, kur Xhafer Mata qëlloi me dy plumba Xhuljeta Çunin. Pavarësisht lidhjes së tyre të dashurisë, pas divorcit të 31-vjeçarit, vajza i kishte ndërprerë marrëdhëniet me djalin.
‘BalkanWeb’ raporton se përveç prishjes së marrëdhënies intime të rinjtë ishin në konflikt me njëri-tjetrin pasi 19-vjeçarja i kishte marrë një shumë lekësh borxh 31-vjeçarit dhe refuzonte t’ia kthente. Për konfliktet mes tyre të rinjtë ishin paraqitur disa herë pranë komisariatit nr. 3. Vajza kishte shprehur shqetësimet e saj para oficerëve të policisë se përndiqej nga ish-i dashuri, ndërsa ky i fundit deklaronte se thjesht kërkonte që ajo t’i kthente borxhin.
SI NDODHI NGJARJA
Dëshmitarët treguan për gazetaren Dorjana Bezat se fillimisht Xhafer Mata ka tentuar të ndalë vajzën në rrugë por kur ajo nuk ka pranuar, ndaj ai e ka qëlluar nga pas. I tronditur ai u ka drejtuar armën dhe kalimtarëve të tjerë, pavarësisht se me fjalë u tha se nuk do i lëndonte. Kur pa se vajza ishte ende gjallë e po kërkonte ndihmë ai u afrua sërish dhe e qëlloi për herë të dytë duke i marrë jetën. Më pas u ul në anën tjetër të rrugës ku qau me ngashërim dhe kur pa se policia po mbërrinte në vendin e ngjarjes vrau veten.
Dy të rinjtë banonin prej vitesh në Tiranë. Xhafer Mata ishte me origjinë nga Kukësi ndërsa Xhuljeta Çuni me origjinë nga një fshat i Matit. Ata janë njohur në lagjen e Xhaferit, pasi Xhuljeta punonte si kasiere në një market pranë shtëpisë së 31-vjeçarit. Ky i fundit megjithëse ishte i martuar dhe me një fëmijë rreth 1 vjeç, kishte një lidhje dashurie me 19-vjeçaren. Për shkak të kësaj lidhjeje ai i dha fund martesës së tij në janar të këtij viti. Vetëm pak kohë më pas Xhuljeta ka hequr dorë nga kjo marrëdhënie dhe nuk ka dashur të vazhdojë më lidhjen me Xhafer Matën. Ajo nuk i është përgjigjur më në telefon dhe ka ndërruar edhe vendin e punës.
31-vjeçari e kishte menduar aktin ekstrem që do të kryente. Mëngjesin e së premtes ai kishte marrë fëmijën dhe e kishte çuar te fqinjët, duke u thënë të kujdeseshin për disa orë për të pasi ai kishte një punë. Sapo ka dalë nga banesa ka pritur në rrugicë 19-vjeçaren dhe ka vrarë atë dhe veten.
Ndërkohë, në 2 familjet e të rinjve janë hapur dyert e mortit. Të shokuar nga ngjarja ata nuk kanë folur për mediat. 31-vjeçari jetonte me prindërit si edhe fëmijën, ndërsa 19-vjeçarja jetonte me prindërit dhe motrën e vogël.