BOTA, 7 August 2026, 22:03

Temperatura rekord në Mesdhe/ Ujërat pranë Mallorcës kalojnë 33°C, pritet konfirmimi i rekordit historik

Një bojë oqeanografike në det të hapur pranë ishullit Sa Dragonera, afër Mallorcës, ka regjistruar një temperaturë të sipërfaqes së ujit prej 33.02 gradë Celsius, një nga vlerat më të larta të matura ndonjëherë në Detin Mesdhe.

Matja është kryer të mërkurën rreth orës 16:00 dhe vjen në një periudhë me temperatura jashtëzakonisht të larta në rajon. Të dhënat po i nënshtrohen aktualisht verifikimeve teknike për të konfirmuar nëse kjo vlerë përbën një rekord historik për Mesdheun.

Sipas raportimeve të mediave, ujërat e Mesdheut po përballen me temperatura të pazakonta. Pranë Sa Dragonera, instrumenti oqeanografik regjistroi 33.02°C në sipërfaqen e detit, një vlerë që mund të rezultojë më e larta e matur ndonjëherë në këtë zonë, nëse konfirmohet zyrtarisht.

Temperatura e regjistruar është ndjeshëm mbi mesataren e kësaj periudhe, pasi zakonisht në fund të korrikut dhe fillim të gushtit temperaturat e ujërave të Mesdheut variojnë rreth 25-26°C.

Ekspertët theksojnë se rëndësi nuk ka vetëm një rekord i izoluar, i cili mund të ndikohet edhe nga kushtet lokale, por tendenca e përgjithshme e rritjes së temperaturave të detit gjatë viteve të fundit.

Nëse konfirmohet, kjo matje do të përbënte një tjetër tregues të ngrohjes së jashtëzakonshme të ujërave të Mesdheut dhe ndryshimeve që po përjeton klima në rajon.