Gazetaret në Afganistan, janë ankuar këto ditë se talebanët nuk i lejojnë të zhvillojnë punën e tyre.
Shabnam Dawran, një nga moderatoret e lajmeve më të njohura në vend, ka publikuar një video në “Twitter” ku tregon mënyrën se si e larguan nga zyra, edhe pse ishte e veshur me hixhab dhe kishte kartën e ID me vete.
“Regjimi ka ndryshuar. Nuk lejohet këtu. Shko në shtëpi”, mësoeht t’i kenë thënë luftëtaret gazetares.
Sakaq, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid, në një intervistë të dhënë tha se gratë do të lejohen të punojnë, por brenda kufijve të ligjit islam, duke mos dhënë detaje të mëtejshme lidhur me këtë çështje.
Të drejtat e grave dhe minoriteteve, janë veçanërisht një aspekt mjaft problematik, pas pushtimit të vendit nga talebanët. Ata njihen për trajtim brutal të vajzave dhe grave, ndalimin e shkollimit dhe punësimit të tyre, si edhe kontrollin e plotë mbi jetët e tyre. Kjo ka bërë që një numër i konsiderushëm afganësh t'u drejtohen pikave kufitare dhe aeroportit për t'u larguar menjëherë nga vendi.