TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pas një vizite në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, deklaroi sot se mbi 1 mijë të rinj janë arrestuar ose shoqëruar nga policia gjatë nëntë ditëve të protestave. Sipas saj, 250 prej tyre janë të mitur, të cilët janë përballur me dhunë edhe pasi kanë bërë të ditur moshën e tyre.
“250 prej tyre janë të mitur, të cilët nuk janë kursyer nga dhuna barbare, nga goditjet dhe tërheqjet, edhe në momentin kur janë identifikuar si të mitur”, tha Tabaku.
Gjatë vizitës, deputetja e PD-së tregoi se kishte takuar edhe dy 14-vjeçarë, të cilët, sipas saj, ndodheshin në një cep të protestës pa ushtruar dhunë, me duart në xhepa, por që gjithashtu nuk ishin kursyer nga ndërhyrjet e policisë.
“Dhe i pyesin se përse protestojnë?! Të rinjtë sot protestojnë pikërisht kundër kësaj dhune, kundër këtij përqendrimi pushteti. Kërkojnë një Shqipëri më të mirë. Protestojnë për kushtet ekonomike të familjes, për meritokracinë e munguar, për më shumë mundësi, për një arsim më të mirë. Ata sot po bëhen zëri i një Shqipërie që duhet patjetër të ngrihet. Një Shqipërie që sot flet me zërin e tyre, ka dalë në rrugë me të rinjtë dhe po merr gjithmonë e më shumë mbështetje”, theksoi Tabaku.
Deputetja e Partisë Demokratike kritikoi ashpër veprimet e policisë, duke deklaruar se dhuna ndaj protestuesve, përfshirë vajzat dhe të miturit, dëshmon, sipas saj, se Shqipëria është larg standardeve europiane.
“Dhuna barbare e policisë, tërheqjet në mes të rrugës ndaj vajzave, ndaj të miturve, ndaj kujtdo, pa iu dridhur syri, tregojnë vetëm që Shqipëria sot është gjithçka, përveçse europiane”, u shpreh ajo.
Tabaku theksoi gjithashtu se të rinjtë, mësuesit dhe punonjësit e policisë nuk duhet të përballen me kërcënime apo të nxiten përmes përfitimeve materiale, ndërsa nënvizoi se protestuesit po kërkojnë një vend që respekton vlerat europiane.
“Nuk mund t’i kërcënosh të rinjtë me bursa. Nuk mund t’i kërcënosh mësuesit me rroga. Nuk mund t’i motivosh e t’i shpërblesh policët vetëm përse ushtrojnë dhunë. Kjo nuk është Shqipëria europiane. Dhe këta të rinj po kërkojnë pikërisht një Shqipëri të tillë: një Shqipëri europiane”, tha Tabaku.