SPORT, 8 Dhjetor 2022, 18:54

Xhani Infantino: Futbolli bashkon Botën, diçka e veçantë po ndodh në Katar

Xhani Infantino: Futbolli bashkon Botën, diçka e veçantë

Në prag të nisjes së fazës më delikate dhe spektakolare të Kupës së Botës, Presidenti i FIFA, Xhani Infantino, është shprehur shumë i lumtur për mbarëvajtjen e Botërorit deri më tani e sidomos për atomsferën e gëzueshme, që është krijuar në Katar edhe pse në vend ndodhen një numër i madh personash dhe kulturash të ndryshme.

“Futbolli me të vërtetë bashkon botën. Futbolli ka këtë magji, këtë veçori të veçantë: kur topi rrotullohet, njerëzit mblidhen në një atmosferë të gëzueshme. Më duhet të pranoj se, para Kupës së Botës, ne ishim të shqetësuar për të pasur kaq shumë tifozë nga kaq shumë vende, në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend. Kjo nuk ndodh në një Botëror normal, ku ka tifozë të më shumë se dy vendeve në një qytet. Këtu janë 32 vende, plus të gjithë tifozët e tjerë në botë që vijnë për të shijuar turneun së bashku”, është shprehur Infantino.

Në anën tjetër, Infantino është shprehur se ky Botëror, mund të kontribuojë shumë, në “reklamimin” dhe prezantimin në mënyrë sa më të mirë, të kulturës së vendeve të Lindjes së Mesme.

“E kam thënë disa vite më parë, besoj vërtet se ky Botëror mund të kontribuojë, nga njëra anë, në këtë pjesë të botës, në Katar, në Lindjen e Mesme, për t’u dukur, për t’i treguar botës se sa mikpritëse dhe e pasur është kultura e tyre. Por edhe për pjesën tjetër të botës që vijnë këtu për të dëshmuar mikpritjen, kulturën e re, për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Kjo shkrirje kulturash, që ndodh në një Kupë Botërore, është me të vërtetë unike. Kush vjen këtu, por edhe kushdo që shikon nga shtëpia dhe e ndjen këtë atmosferë, e kupton se diçka shumë e veçantë po ndodh në këtë Botëror. Do të jetë kënaqësi deri në fund”, ka vazhduar më tej në fjalën e tij, Presidenti i FIFA-s.