TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një skuadër ku stili dhe loja e bukur shkojnë dorë për dore, Milan po gjen sërish rrugën drejt stabilitetit dhe efikasitetit falë disa prej figurave më të dalluara të saj. Teo Hernandez dhe Rafael Leao nuk janë vetëm ikona të fushës për shkak të pamjes së tyre me flokë të ngjyrosur apo me gërsheta, por mbi të gjitha për shpërthimet e tyre në fushë.
Një dyshe që rikthehet të bëjë diferencën në krahun e majtë, ku Leao shpërthen me shpejtësinë e zakonshme dhe Teo, pa bërë bujë, garanton vazhdimësi. Në ndeshjen kundër Xhenoas, Leao hyri nga stoli dhe ndryshoi fatin e takimit, një gol dhe një rol kyç në golin e dytë, duke u bërë një nga vetëm tre lojtarët në Serinë A me të paktën tetë gola dhe tetë asistime, përkrah Pulisiçit dhe Lukakut.
Forma e tij në transfertë është mbresëlënëse, me pesë kontribute direkte në gola në gjashtë ndeshjet e fundit jashtë “San Siros”. Edhe pse do mungojë në sfidën kundër Bolonjës për shkak të pezullimit, ai pritet të jetë plotësisht i gatshëm dhe titullar në finalen e Kupës së Italisë kundër Bolonjës.
TEO- Në krahun tjetër, Teo Hernandez konfirmohet si një nga pikat kyçe të formacionit të Konseisaos. Më i fokusuar dhe më i përgjegjshëm se më parë, francezi po lulëzon nën skemën e re me mbrojtje me tre, që i jep më shumë liri në avancim dhe më pak barrë mbrojtëse. Një sistem që i ka sjellë Milanit jo vetëm stabilitet, por edhe një ndjesi më të madhe bashkimi, simbolizuar më së miri nga përqafimi i skuadrës pas fitores kundër Xhenoas, me trajnerin që krijon një rreth solidariteti mes lojtarëve.
MENJA- Më pak ekstravagant në stil, por gjithmonë vendimtar. Portieri francez nuk spikat vetëm me pritjet e tij spektakolare, si ato “Marassi”, por edhe me udhëheqjen e tij në organizimin e skuadrës. Komandant i heshtur, që ndonjëherë e gjen veten deri në mesfushë për të drejtuar shokët e ekipit në situatat standarde.
Ai është një nga tre “senatorët” e skuadrës, bashkë me Leaon dhe Teon, që përfaqësojnë bërthamën e Milanit. Teknikisht të zotët, emocionalisht të lidhur dhe gjithnjë më të vetëdijshëm për rëndësinë e rolit të tyre. Në një sezon me sfida dhe ndryshime, ajo që po bën diferencën për Milanin, nuk është vetëm cilësia individuale, por fryma e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë që po përqafohet nga liderët e skuadrës. Dhe, kur këto vlera përqafohen nga yjet e ekipit, rruga drejt suksesit bëhet më e qartë.