SPORT, 16 Nëntor 2021, 22:19

Rikthehet Arlind Ajeti. Mbrojtësi zyrtarizon firmën me klubin italian

Rikthehet Arlind Ajeti. Mbrojtësi zyrtarizon firmën me klubin italian

Arlind Ajeti kthehet përsëri në futbollin italian, pesë muaj pas eksperiencës së fundit atje me fanellën e Rexhianës në Serinë B. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, vazhdon me ritualin e tij të çuditshëm ku kombinon aktivizimin e rregullt me muaj të tërë i zhdukur nga harta futbollistike.

Mbrojtësi sot ka zyrtarizuar rikthimin në Itali, por duke zbritur në kategori, pasi tashmë do të jetë pjesë e Padovës në Serinë C.

“Padova bën të ditur se në ditën e sotme ka formalizuar akordin me futbollistin shqiptar me shtetësi zvicerane, Arlind Ajeti. Ajeti ka nënshkruar me klubin një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi”, shpjegonte Padova në njoftimin për firmën e Ajetit.

Situata e çuditshme e Ajetit ka bërë që futbollisti i cili shihej si një titullar i paprekshëm në radhët e kuqezinjve pas Euro 2016, të zhdukej për disa kohe nga grumbullimet kuqezi, duke luajtur rrallëherë në tre vitet e fundit. Hera e fundit që ai ka luajtur me kombëtaren shqiptare ishte suksesi 2-0 në San Marino në marsin e këtij viti.