SPORT, 26 Nëntor 2021, 18:42

"Play-off" Katar 2022/ Mançini i frikësuar nga shorti: Do ta kemi të vështirë!

"Play-off"  Katar 2022/  Mançini i frikësuar nga shorti:

Pak çaste më parë u hodh shorti i dueleve “play-off” të Botërorit Katar 2022. Italia nuk ia doli të mbyllte grupin e vet në vend të parë dhe tani duhet të luajë dy ndeshje shtesë për të siguruar biletën në kompeticionin më të rëndësishëm për kombëtare.

Shorti nuk u tregua aspak bujar për kampionët e Europës, të cilët presin në shtëpi Maqedoninë e Veriut në takimin gjysmëfinal, ndërsa në finale do të përballen në transfertë me fituesin e çiftit Portugali-Turqi.

Trajneri i kombëtares së kaltër, Roberto Mançini komentoi shkurt shortin, të cilin e cilëson tepër të vështirë. ”Mund të shkonte më mirë. Do të jetë shumë e vështirë për ne.

Maqedonia e Veriut është një skuadër e fortë, më pas do të shkojmë të luajmë finalen në Turqi ose Portugali.

Do të jetë e vështirë, pasi bëhet fjalë për rivalë shumë të fortë”, deklaroi trajneri i katër herë kampionëve të botës.

Kuptohet që ne dhe Portugalia duhet t’i fitojmë gjysmëfinalet. Vështirësitë janë gjithmonë të mëdha kur bëhet fjalë për ndeshje teke.

Besimi dhe pozitiviteti nuk na mungojnë, sidomos në momentet më të vështira. Maqedonia?Ata shkëlqyen në grup, meritonin fitoren edhe ndaj Suedisë, por nuk ia dolën. Duhet të luajmë një ndeshje të madhe ndaj tyre”.

Më pas një koment për Portugalinë. “Siç donim ne t’i shmangnim, ndoshta edhe ata donin të na shmangnin neve. Rëndësi ka që t’i kemi të gatshëm të gjithë futbollistët në mars”, përfundoi Mancini.