TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një javë magjike mund të quhet kjo për Interin, i cili do të kërkojë një tjetër fitore me Venecian të shtunën, për ta mbyllur si duhet. Pas mposhtjes së Napolit dhe Shahtjorit, në Milano ekziston një tjetër ajër, ndërsa ka nisur epoka e Simone Inzagit, i çliruar më në fund nga hija e Antonio Kontes.
Pas një dekade zikaltrit kthehen në fazën me eliminim direkt në Champions League, me një skuadër që pavarësisht se në letër është më e dobët se ajo e vitit të shkuar, ka treguar një tjetër nivel loje.
Me shumë vendosmëri, shpejtësi, aftësi krijuese dhe kurajë, djemtë e Inzagit po përqafojnë një tjetër lloj futbolli që përveç agresivitetit i lejon edhe të dhurojnë lojë të bukur, të shënojnë gola e të marrin pikë, duke ndërthurur në mënyrën më të mirë mentalitetin italian me atë europian.
KËMBËNGULJE DHE DOMINIM – Kundër Shahtjorit, ashtu si ndaj Napolit, Interi ka dominuar ndeshjen me forcë dhe me goditje të shumta drejt portës. Nga shumë të kujdesshëm në mbrojtje dhe vdekjeprurës në kundërsulme, zikaltrit janë kthyer në një ekip që kontrollon ndeshjen në zonën kundërshtare pa e humbur agonizmin që karakterizonte lojën e Kontes.
Një mënyrë loje shumë herë më pranë asaj europiane që dominon sot Champions-in dhe që e ka kthyer Interin në grupin më të fortë në Itali, që mund të thotë fjalën e tij edhe në Europë, me provën e parë të vështirë pas kualifikimit: përballja me Realin për të marrë kreun e Grupit D.
Kualifikimi i Interit përtej fazës së grupeve nuk duhet të përbëjë lajm, por pas 10 vitesh mungesë patjetër që mund të konsiderohet arritje e madhe. Një fitore e firmosur nga Edin Xheko, jo rastësisht futbollisti me më shumë eksperiencë i organikës. Por ai ashtu si gjithë skuadra shpërdoroi shumë dhe rrezikoi një tjetër ndeshje pa gola ndaj ukrainasve. Megjithatë, është kjo aftësi për të qëndruar brenda ndeshjes dhe për të mos u dorëzuar që po bën gjithmonë e më shumë diferencën, ashtu si me napolitanët ndaj të cilëve kaluan në disavantazh.
DREJT KONFIRMIMIT – Inzagi e ka gjetur Interin e vërtetë në mes të nëntorit, një lajm aspak i keq për të ardhmen. Pavarësisht se është 4 pikë larg kryesuesve në kampionat, ritmi i lojës dhe fakti që kanë kaluar vetëm 13 javë e bën të besojë fort te titulli.
Nga ana tjetër, bileta që vlen rikthimin te faza e 1/8 dhe 20 milionë euro është prerë, gjë të cilën nuk e arriti dot as Konte. Të mërkurën lindi Interi i Inzagit dhe tashmë zikaltrit kanë dalë hapur duke i sfiduar të gjithë, përfshirë edhe veten, për të treguar se grupi është më i fortë se individi dhe se mund të përmirësojnë rekordet e sezonit të kaluar.