SPORT, 12 Nëntor 2021, 13:03

Mision i pamundur? Sot sfida Angli-Shqipëri, detajet nga përballja e Wembley-it

Mision i pamundur? Sot sfida Angli-Shqipëri, detajet nga përballja e

Në Wembley kërkohet një mrekulli nga Shqipëria, diçka që kuqezinjtë nuk e kanë bërë kurrë më parë përballë ishullorëve. Në futboll kanë jo pak rëndësi, numrat, statistikat, apo vlera e lojtarëve në fushën e lojës, nëse marrim në konsideratë këto detaje, shanset e Shqipërisë janë thuajse zero.

Kombëtarja shqiptare e futbollit, nën drejtimin e trajnerit Edi Reja, ka zhvilluar mbrëmë përgatitjet e fundit në prag të ndeshjes me Anglinë. Seanca e fundit u zhvillua në terrenet stërvitore të kampusit universitar të Brunelit, në perëndim të Londrës.

Kuqezinjtë u kanë dhënë aty dorën e fundit përgatitjeve për këtë ndeshje ku luhen shanset e fundit që ka për të qenë pjesë e “play off”- it për Botërorin “Katar 2022”. Ndonëse trajneri Edi Reja pohoi në konferencë se formacionin ua deklaron lojtarëve pak para ndeshjes, dita e djeshme dha disa sinjale ndryshimi në formacionin e mundshëm ndaj anglezëve.

Formacioni :

Prania e Cikalleshit në konferencë përkrah italianit shikohet si një sinjal ndryshimi në portë, ku gjasat janë që sot nga minuta e parë të jetë Tomas Strakosha në fushë, ndërsa kapiteni Etrit Berisha mund ta nisë nga stoli. Nedim Bajrami ishte në balotazh me Çekiçin, por mesfushori i Empolit pritet të jetë titullar.

Dyshja e sulmit ndaj “Tre Luanëve” pritet të përbëhet nga Cikalleshi dhe Uzuni. Kuqezinjtë pritet të rreshtohen në fushë me modulin 3-4-1-2. Në fazën mbrojtëse ky modul shndërrohet në 5-3-2, ku Hysaj dhe Trashi mbyllin anët e mbrojtjes, e cila në qendër pritet të ketë treshen Ismajli-Kumbulla-Veseli.

Ndërsa kur sulmon Shqipëria, rreshtimi pritet të transformohet 3- 4-3, ku Gjasula dhe Bare kanë kontrollin e qendrës së mesfushës, ndërsa Bajrami shikohet si një furnizues për dyshen sulmuese.

Pra, ky pritet të jetë rreshtimi i mundshëm, por trajneri në disa raste ka surprizuar me ndryshimet në formacion pak para fillimit të ndeshjeve. Gjithsesi, trajneri Reja është i limituar në zgjedhje, për shkak edhe të mungesave dhe formës së individëve të veçantë.

DILEMAT PËR BROJËN

Në seancën stërvitore të zhvilluar në Londër radhëve të përfaqësueses u është bashkuar edhe Armando Broja. Lojtari kishte qëndruar në Angli për t’u rikuperuar nga një dëmtim në kavilje që e ka shqetësuar në javët e fundit dhe për të qenë vetëm sot përsëri pjesë e ekipit.

Megjithatë, situata e tij nuk është optimale, pasi lojtari është vënë menjëherë nën kujdesin e stafit mjekësor, për t’i fashuar kaviljen e dëmtuar, para se të bashkohej në ushtrime me pjesën tjetër të skuadrës. Sipas asaj që tha trajneri Reja, Broja nuk parashikohet të jetë titullar, por po monitorohet gjendja e tij për ta aktivizuar disa minuta në pjesën e dytë.

 Kompanitë e basteve:

Një fitore e mundshme e Shqipërisë sot në mbrëmje kuotohet me koeficientin 26. Edhe dëshira për të dalë të pamposhtur kjo sfidë duket e vështirë për tu arritur pasi një barazim i mundshëm kuotohet me koeficientin 8,5. Anglia shihet nga kompanitë e basteve si favorit absolut pasi një fitore e mundshme e Harry Kane me shokë vlerësohet me koeficientin 1,1. Pavarësisht këtyre shifrave, futbolli prandaj është sporti më i bukur në botë, pasi asgjë nuk është fikse, për sa kohë në fushë zbresin 11 lojtarë kundër 11 gjithçka mund të ndodh, historia na ka vërtetuar se surprizat ndodhin.

Statistikat: Bilanci mes dy kombëtareve

Ndeshja e fundit mes dy përqafësuesve ka qenë më 28 mars 2021, ku në stadiumin “AIR Albania”, britanikët triumfuan me rezultatin 0-2. Fitorja më e madhe ka ndodhur më 26 prill 1989 ku Anglia fitoi me “manita” 5-0 ndaj Kombëtares kuqezi. Bilanci i kuqezinjve ndaj britanikëve janë 0 fitore, 0 barazime dhe 5 humbje.

Në këtë grup eliminator janë zhvilluar 8 ndeshje ku ekipi i Rejës ka kryer 5 fitore, 0 barazime dhe 3 humbje, ndërsa skuadra e Sauthgejt 6 fitore, 2 barazime dhe 0 humbje.

Shqipëria ka realizuar 11 gola dhe ka pësuar 7 të tilla, ndërsa Anglia ka shënuar 24 gola dhe ka pësuar 3. Mesatarja e goditjeve në portë për ndeshje kuqezinjtë e kanë me një shifër prej 13,6%, ndërsa britanikët 15,5%. Shanset e mëdha për ndeshje Shqipëria e ka një mesatare prej 2,3%, ndërsa Anglia me 4,5%.

Mesatarja e qarkullimit të topit, skuadra e Rejas ka një shifër prej 53,5% ndërsa ekipi i Sauthgejt 72,9%. Konvertimi i golave, kuqezinjtë e kanë me një shifër prej 10,1% ndërsa “3 Luanët” 19,4%. Vlerësimi i “Sofa Score” për dy kombëtaret, Shqipëria me notën 6,86 ndërsa Anglia me notën 7,25.

 Për çfarë luan Shqipëria ndaj anglezëve

Trajneri i Kombëtares beson te mrekullia. Mbrojtësi Elseid Hysaj gjithashtu ka pohuar se gjersa matematika ua lejen, kuqezinjtë do të luajnë deri në fund për të realizuar ëndrrën. Shqipëria e trajnerit Edi Reja luan dy ndeshjet e fundit eliminatore për Botërorin “Katar 2022” të vlefshme për Grupin I.

Momentalisht kuqezinjtë mbajnë vendin e tretë në grup, duke qenë pesë pikë larg Anglisë së vendit të parë dhe dy pikë më pak se Polonia që renditet e dyta. Duke qenë edhe 6 pikë në lojë, matematikisht, por edhe me një përllogaritje të çmendur, bën që Shqipëria të ketë shanse edhe për vendin e parë, por jo më për t’u renditur e dyta.

Por, logjikisht shanset janë të pakta për të dy këta objektiva, pasi dihet që sot në orën 20:45 luajmë në “Uembli” ndaj Anglisë, ku duhet të fitojmë këtë sfidë dhe të fundit me Andorrën, për të shpresuar më tej te hapat e gabuar të anglezëve me San Marinon, gjë që do të konsiderohej fatalitet botëror në futboll.

Ndërsa për vendin e dytë, ku llogaritë i kemi me Poloninë, duhet që kuqezinjtë të marrin 6 pikët e plota dhe Polonia të mos marrë më shumë se 3 pikë në dy sfidat e saj, fillimisht me Andorrën në transfertë dhe në fund polakët presin Hungarinë në shtëpi.

Pra, Shqipëria duhet të mendojë më shumë që të ruajë vendin e tretë në grup, pasi Hungaria është 4 pikë larg, por jemi të favorizuar për ta ruajtur këtë pozicion falë sfidës së fundit ku presim Andorrën.

Angli-Shqipëri do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:45, në stadiumin “Uembli”, e vlefshme për Grupin “I” të fushatës kualifikuese të Botërorit “KATAR 2022”.