SPORT, 25 Prill 2025, 21:51

Kërcënimi me bojkot të finales, Reali e bëri në ditën e 25-vjetorit të turpit të Barçës me Guardiolën protagonist

Kërcënimi me bojkot të finales, Reali e bëri në

Real Madrid ka lënë të kuptohet se po bëhet gati të bojkotojë finalen e Kupës së Mbretit, pasi i ka cilësuar si të papranueshme deklaratat dhe qëndrimet e gjyqtarëve në konferencën për mediat që ata mbajtën. Madrilenët kërkuan që të ndërrohen gjyqtarët dhe kërcënojnë se nuk do të shfaqen në fushë për ndeshjen në fjalë.

Një kërcënim që vjen në ditën e 25-vjetorit kur Barcelona e çoi kërcënimin për bojkot deri në fund, Asokohe ishin gjysmëfinalet ë Kupës së Mbretit dhe Barcelona, pasi u mund 3-0 në ndeshjen e parë përballë Atletiko Madrid, refuzoi të luante ndeshjen e kthimit në shtëpi.

Katalanasit kërkuan që ndeshja të shtyhej, pasi ishte programuar në datat e sfidave ndërkombëtare, ndaj u mungonin shumë prej yjeve të ekipit si Rivaldo, Figo, Litmanen, Klaivert apo De Bur. Federata refuzoi dhe Barcelona u paraqit me vetëm 10 lojtarë në fushë, me një portier rezervë në stol. Pamjet e lojtarëve si kapiteni Guardiola, Çavi, Pujol, Serxhi apo Gabri që refuzonin të rreshtoheshin në fushë bënë xhiron e mediave botërore, ndërsa ndeshja u bojkotua nga katalanasit.

SI pasojë, erdhi edhe një dënim nga Federata, me humbjen e pritshme në tavolinë dhe përjashtimin e katalanasve nga edicioni pasardhës i Kupës, përtej një gjobë financiare. Por gjithçka u harrua shpejt, pasi presidenti i Federatës Spanjolle asokohe, Angel Maria Vijar, fitoi për herë të katërt zgjedhjet dhe përdori fuqinë e amnistisë si president për të anuluar vendimin e përjashtimit, duke bërë që katalanasit të luanin rregullisht në edicionin pasardhës.