SPORT, 10 Korrik 2025, 18:41

Juventusi nuk heq dorë, ofertë e re për Kolo Muanin. Vetë francezi nuk ka dyshime për të ardhmen

Juventusi nuk heq dorë, ofertë e re për Kolo Muanin. Vetë

E ardhmja e Randal Kolo Muanisë mbetet një nga pikat kyçe të merkatos verore të Juventusit. Pas një sezoni pozitiv në huazim nga PSG-ja, sulmuesi francez po shijon pushimet, ndërsa në prapaskenë Damien Komoli, drejtori i ri “Zonjës së Vjetër”, është duke punuar intensivisht për ta mbajtur lojtarin në Torino edhe për një vit tjetër.

Bisedimet mes Juventusit dhe PSG-së kanë nisur prej kohësh, por problemi kryesor mbetet formulimi i marrëveshjes. Klubi italian po synon një tjetër huazim, këtë herë me pagesë të konsiderueshme, rreth 10 milionë euro, dhe me një opsion blerjeje që do të shndërrohej në detyrim në kushte të lehta për t’u përmbushur. PSG, nga ana tjetër, kërkon garanci për blerjen përfundimtare të sulmuesit, për të mos rrezikuar humbje nga një investim prej 75 milionë eurosh, aq sa pagoi për të në verën e vitit 2022.

Pavarësisht vështirësive, Juventusi nuk ka ndërmend të heqë dorë, sidomos duke parë situatën e paqartë të Dushan Vlahoviçit, i cili po pengon hyrje të reja në sulm. Serbi ka refuzuar oferta nga Fenerbahçe dhe klubet saudite, duke këmbëngulur të qëndrojë deri në skadimin e kontratës në vitin 2026, çka e bën të vështirë menaxhimin e merkatos për klubin bardhezi.

Ndërkohë, Kolo Muani ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron të qëndrojë.“Këtu jam mirë dhe i lumtur”, ishte mesazhi i përsëritur gjatë Kupës së Botës për Klube, ku spikati me dy gola dhe një asist. Edhe trajneri i PSG-së, Luis Enrike, nuk ka në planet e tij francezin, çka i jep Juventusit një kartë të fortë për të negociuar.