SPORT, 21 Dhjetor 2021, 18:25

Goditi me shqelm mbrojtësin e Skënderbeut, dënim i ashpër për trajnerin Ndreu

Goditi me shqelm mbrojtësin e Skënderbeut, dënim i ashpër

Shqelmi ndaj mbrojtësit Leonat Vitija, i ka kushtuar shtrenjtë trajnerit të Kastriotit, Ramadan Ndreu, i cili është pezulluar për plot 12 ndeshje nga Komisioni i Disiplinës, i cili është mbledhur pasditen e sotme.

Gjesti i teknikut krutan këtë fundjavë në Korçë, ishte i patolerueshëm dhe organet disiplinore vendosën t’i bllokojnë hyrjen në stadium dhe pjesëmarrjen në aktivitetet sportive të organizuara nga FSHF-ja, deri në fund të dënimit.

"Zyrtari i KS Kastrioti, Ramadan Ndreu,për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/2/b të KDS, dënohet me 12 (dymbëdhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 20 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në aktivitetet sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit", thuhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës.

Janë rikthyer ndërkohë sërish gjobat për Partizanin dhe Teutën, të cilat vijojnë të mos vendosin logon e sponsorit të Superligës dhe për këtë janë dënuar me nga 100 mijë lekë secila.