SPORT, 12 Korrik 2025, 19:37

Duan lojtarët, por jo klubet! Pse po ngec merkatoja e Milanit

Duan lojtarët, por jo klubet! Pse po ngec merkatoja e Milanit

Milani po përpiqet të finalizojë dy goditje të rëndësishme në merkato, por përballë ka kundërshtarë të vendosur, që nuk kanë ndërmend të bëjnë lëshime. Ardon Jashari dhe Guela Doue janë dy objektiva të qartë për drejtuesin sportiv, Igli Tare, por deri më tani rruga për te firma është e mbushur me pengesa.

Në qendër të vëmendjes është Ardon Jashari, mesfushori i talentuar zviceran i lindur në vitin 2002. Pavarësisht dëshirës së tij të qartë për t’u bashkuar me Milanin, madje me një marrëveshje personale pesëvjeçare tashmë në xhep, Klub Bryzhi ka refuzuar të dorëzohet. Igli Tare ka konfirmuar një ofertë “shumë të mirë”, që kap shifrën prej 33 milionë eurosh plus 5 milionë bonus. Por drejtori ekzekutiv i klubit belg, Bob Madu, e ka bërë të qartë se kjo nuk mjafton.

“Ne kemi respektuar Milanin dhe kemi biseduar me ta, por nuk kemi marrë një ofertë që na bën të mendojmë për largimin e Ardonit. Nisemi nga parimi se ai do të qëndrojë”, tha Madu. Situata është e ngjashme edhe për objektivin tjetër të Milanit, mbrojtësin e djathtë, Guela Doue. Klubi francez i Strasburgut ka refuzuar një ofertë prej 15 milionë eurosh, por lojtari i ka bërë të qartë trajnerit të tij, Liam Rosenua, se dëshiron transferimin në “San Siro”.

Tare është gati të rikthehet në tryezën e bisedimeve me një propozim të ri, por duket se edhe në këtë rast, Milani nuk është i gatshëm të tejkalojë kufijtë që ka vendosur. Të dyja rastet përfaqësojnë saktësisht realitetin e një merkatoje të vështirë për Milanin e ri të Tares dhe Alegrit. Dëshira e lojtarëve është aty, por klubet zotëruese nuk kanë ndërmend të dorëzojnë lehtë asetet e tyre më të çmuara.