SPORT, 13 Mars 2026, 14:42

Dreka vendimtare/ Allegri dhe Furlani projektojnë Milanin e ri, pritet nga një përforcim në çdo repart

Dreka vendimtare/ Allegri dhe Furlani projektojnë Milanin e ri, pritet nga

Dreka më klasike me një menu kuqezi. Dy të ftuar shumë të rëndësishëm në tryezë, Masimiliano Alegri dhe administratori deleguar Xhorxhio Furlani, ndërsa “pjatat” e diskutimit ishin temat kryesore të së tashmes dhe të së ardhmes së klubit. 

Çfarë do të ndodhë me të ardhurat gjithnjë e më të mundshme nga Champions League? Një vit më parë, Milani mbeti pa këtë kompeticion pas një sezoni të vështirë dhe vendit të tetë në kampionat, që e la skuadrën jashtë Europës. Pyetja tjetër ishte: Si do të riinvestohen këto para? Dhe në fund, si mund të rritet edhe më shumë buxheti për merkato?

ZGJEDHJE TË PËRBASHKËTA – Tryeza ishte rezervuar në sallën e ngrënies në Milanelo, dy ditë pas derbit të fituar dhe në ditën e rifillimit të stërvitjeve. Atmosfera ishte e qetë dhe optimiste pas suksesit ndaj Interit. Nga ana e klubit, përfaqësuar nga Furlani, erdhën edhe komplimentet për trajnerin dhe skuadrën. Pas “antipastës” me tri pikët e derbit që rihapën garën për titullin, në tryezë u shtruan temat kryesore, strategjitë për të ardhmen e projektit teknik. Fakti që për to diskutuan drejtpërdrejt administratori dhe trajneri tregon qartë se vendimet do të merren në mënyrë të përbashkët mes sektorit sportiv dhe atij financiar.

NJË GODITJE PËR ÇDO REPART – Vetëm nga kualifikimi në Champions, Milani synon të përfitojë rreth 60 milionë euro. Një aspekt që Alegri e ka theksuar shpesh si vendimtar për ambiciet sportive dhe për qëndrueshmërinë ekonomike të klubit. Strategjia e klubit amerikan është e qartë, çdo e ardhur që vjen nga skuadra do të riinvestohet te skuadra. Shuma mund të rritet edhe nga shitjet e mundshme të lojtarëve dhe nga paratë e ardhura nga blerjet përfundimtare të futbollistëve të huazuar. Duke llogaritur vetëm të ardhurat nga UEFA dhe detyrimet e blerjeve, baza e merkatos mund të arrijë rreth 100 milionë euro.

KOMENT Ideja është e qartë, një përforcim i madh për çdo repart, lojtarë që në të ardhmen të jenë titullarë të rëndësishëm të Milanit. Për këtë, Alegri ka marrë garanci nga drejtuesit.

KIN NË KRYE TË LISTËS – Në sulm, Alegri pret golat që ta bëjnë Milanin konkurrues edhe në Europë. Para zhgënjimeve të këtij sezoni me Fiorentinën, Moise Kin kishte zhvilluar një kampionat shumë të mirë si bomber: 19 gola sezonin e kaluar (8 këtë sezon), duke u bërë golashënuesi i dytë i turneut. Ai përputhet me identikitin e trajnerit, forcë fizike për duelet dhe shpejtësi për kundërsulmet. Klauzola e tij prej 62 milionë eurosh (aktive në dy javët e para të korrikut) sot konsiderohet e arritshme për Milanin, që mund të provojë lëvizjen që në fillim të verës. Kin do të ribashkohej me Alegrin, me të cilin ka punuar te Juventus, dhe me mikun e tij Rafael Leao. Sulmi do të plotësohej me një “9” të mirëfilltë, pasi Leao dhe Pulisiç janë më shumë sulmues krahu. Alternativat janë më të largëta: Serhou Guirasi i Borusia Dortmund dhe gjithmonë në skenë mbetet edhe Dushan Vlahoviç nëse rinovimi i tij me Juventusin dështon.

PËRFORCIM EDHE NË MBROJTJE – Nga sulmi te mbrojtja. Edhe pse statistikat e këtij sezoni e bëjnë Milanin një nga mbrojtjet më të mira në Serie A, një përforcim konsiderohet i nevojshëm. Vetëm 20 gola të pësuar nga linja me Fikajo Tomori, Mateo Gabbia, Koni De Uinter dhe Strahinja Pavloviç, një repart që nga i brishtë është kthyer në më të fortin e kampionatit nën drejtimin e Alegrit. Trajneri preferon mbrojtës që e njohin tashmë kampionatin dhe kanë fizik të fortë. Për këtë arsye një nga emrat më të pëlqyer është ish-mbrojtësi i Napolit, Kim Min-jae, që luan te Bajern Mynih. Në moshën 29-vjeçare dhe me kontratë deri në 2028, kartoni i tij vlerësohet rreth 30 milionë euro. Alternativë tjetër është mbrojtësi i Lacio, Mario Gila.

MESFUSHA, IDEJA GORETZKA-MODRIÇ – Sytë janë edhe në Bavari për mesfushën. Objektivi është Leon Goretzka, 31 vjeç, që mund të largohet me parametra zero nga Mynihu në verë. Në karrierën e tij në Mynih ka 298 ndeshje dhe 45 gola, si dhe një palmares të jashtëzakonshëm: 6 Bundesliga, 7 kupa kombëtare, një Champions League, një Superkupë Europe dhe një Botëror për klube. Një operacion që kujton stilin e transferimit të Luka Modriç. Pikërisht për kroatin, Milani pret me optimizëm konfirmimin e dëshirës së tij për të zgjatur kontratën edhe një sezon tjetër. Nëse këto plane realizohen, Milani i ri i Alegrit mund të marrë formë që në verën e ardhshme, me përforcime të mëdha në sulm, mbrojtje dhe mesfushë.