SPORT, 27 Tetor 2019, 19:20

Spektakël me shtatë gola nga Atalanta e Gjimshitit, Berisha me Spalin ndalin Napolin

Spektakël me shtatë gola nga Atalanta e Gjimshitit, Berisha me Spalin

Ekipi i Atalantës ka marrë të gjithë vëmendjen në këtë pasdite të Serisë A. Bergamaskët kanë shkatërruar me shifrat e thella 7-1 në shtëpi Udinezen. Një fitore e denjë për rekorde, ndërsa miqtë e kishin të pamundur për të ndalur vrullin sulmues të Atalantës.

Zikaltërit shënuan tre gola në pjesën e parë, ndërkohë që fillimisht ishin në disavantazh dhe u duk si një pasdite e vështirë. Por pas tre realizimeve në 45 minutat e para, erdhën edhe katër gola në fraksionin e dytë duke e bërë një takim që do të mbahet mend gjatë. Ndërkohë, mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, e nisi si titullar por më pas u zëvendësua në minutën e 52 edhe për shkak se ishte ndëshkuar me karton të verdhë.

Sakaq, në sfidën tjetër të Serisë A, Spali dhuroi një surprizë duke ndalur në barazim 1-1 Napolin e trajnerit Ançeloti. Ishin të kaltrit që kaluan të parët në avantazh me sulmuesin Milik, i cili mposhti nga distanca Berishën. Megjithatë, vendasit barazuan pas vetëm shtatë minutash me Kurtiç, rezultat i cili nuk ndryshoi deri në fund të 90 minutave. Kjo edhe për meritë të Berishës që ia doli të ishte i sigurt në disa raste të komplikuara.