IDE, 28 Tetor 2017, 21:10

Shpallja e pavarësisë nga Katalonja, nuk është vetëm një problem i Spanjës

Shpallja e pavarësisë nga Katalonja, nuk është vetëm

* Simon Jenkins / The Guardian / Përgatiti: TPZ.AL

Katalonja e ka gabim. Madridi ka të drejtë. Kushtetuta e Spanjës, përcakton qartësisht sovranitetin dhe integritetin e shtetit spanjoll. Nuk ka asnjë dispozitë që parashikon ndarjen. Katalonja, pavarësisht të shkuarës së saj të veçantë, ka qenë e përfshirë në kushtetutën e Spanjës dhe nuk ka të drejtë ligjore për të qenë një shtet i pavarur. Në këtë pikë ligji është mjaft i qartë.

Thelbi i Europës së pas vitit 1945, është integriteti i shteteve. Pas shekujve me luftra të tmerrshme, stabiliteti i shteteve është trungu mbi të cilin mbështetet siguria europiane. Nëse konfliktet e të shkuarës rikthehen dhe kufijtë ndryshojnë, kaosi do të shpërthejë. Bashkimit Europian varet edhe nga mundësia e shteteve për të vendosur “diktatin” europian mbi rajonet që administrojnë.

Sikur politika të ishte kaq e thjeshtë.

Komisioni Europian në Bruksel, është bërë një parodi e ngjashme me Kishën Katolike përpara reformimit. Neveria ndaj përqëndrimit të pushtetit në një kupolë, po destabilizon disa shtete në këtë kontinent. Ekonomitë po globalizohen, ndërkohë që qeveritë po centralizohen. Për këtë arsye identitetet krahinore po bëhen më të rëndësishmë.

Jo vetëm katalanasit por edhe, skocezët, korsikasit, siçilianët apo venecianët, nuk po tregojnë shenja se dëshira e tyre për më shumë autonomi po shuhet. Katalonja, është një lëvizje kundër elitave burokratike të cilat udhëheqin Brukselin dhe Madridin – pa përmendur edhe Londrën. Për këtë shkak, nuk ka kuptim që Madridi thjesht të lexojë manualin se si menazhohen protestat, për të zgjidhur krizën.

Është e qartë se Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, po kërkon dëshpërimisht të mos ndahet në mënyrë kataklizmike me Madridin, duke e ditur se vetë popullësia e tij është e ndarë. Duhet të vendoset një marrëveshje e ngjashme me atë të Baskëve në vitin 1990, apo ndoshta edhe më radikale. Spanja është që tani, një nga shtetet më të decentralizuara në Europë. Ndoshta është e nevojshmë të decentralizohet më shumë, me një kushtetutë të Katalonjës e cila duhet të votohet nga populli.

Bashkimi Europian ka një qasje naive, kur mendon se Katalonja nuk është problemi i unionit. Diplomacia e gabuar e unionit, u mund në Mbretërinë e Bashkuar. Asnjë shtet nuk guxon më të bëjë një referendum për daljen. Ndasitë janë të dukshme tek polakët, çekët apo hungarezët. Eurozona e dominuar nga Gjermania, ka rrënuar ekonomitë e Greqisë dhe Spanjës dhe është një nga arsyet e krizës së sotme. BE-së nuk i intereson as indentiteti krahinor dhe as decentralizimi. Megjithatë, problem i Katalonjës, është po aq një problem i Europës, sa ç’është i Spanjës.

* Simon Jenkins / The Guardian / Përgatiti: TPZ.AL