AKTUALITET, 22 July 2026, 14:17

Shmanget tragjedia në Himarë! Shpëtohet një familje nga mbytja në det

Pesë pjesëtarë të një familjeje janë shpëtuar nga Policia Kufitare në Himarë, pasi rrezikuan të mbyteshin në det si pasojë e një defekti në mjetin e tyre lundrues dhe kushteve të këqija atmosferike. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, kur Policia u njoftua se disa persona që ndodheshin në një mjet lundrues pranë plazhit të Jalës kishin nevojë urgjente për ndihmë.

Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare me mjetin e tyre lundrues, të cilët pas kërkimeve në det arritën të lokalizonin mjetin e dëmtuar. Në bord ndodheshin një çift bashkëshortësh dhe tre fëmijët e tyre. Të pestë u transportuan drejt Pikës së Kalimit Kufitar Himarë dhe, sipas policisë, ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore. Familjarët falënderuan efektivët e Policisë Kufitare për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale që u dha ndihmë në një situatë të rrezikshme.

Policia Kufitare apelon për të gjithë pushuesit dhe drejtuesit e mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e sigurisë, të përdorin pajisjet mbrojtëse dhe të shmangin daljet në det gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike.