AKTUALITET, 22 July 2026, 13:57

Vendimi/ Shpërblim financiar për policët e plagosur në detyrë, Lamallari: Banesa falas për familjarët e atyre që humbin jetën

Punonjësit e plagosur në detyrë do të shpërblehen financiarisht, bëri me dije ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari pas mbledhjes së qeverisë.

“Kabineti qeveritar gjykoi me rëndësi të miratohej trajtimi financiar për punonjësit e policisë së shtetit të plagosur në detyrë. Ky vendim trajton në mënyrë shteruese punonjësit e rënë në krye të detyrës. Ajo që rregullohet është edhe banesat falas për familjarët që përfitojnë banesa të ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave apo që janë konfiskuar nga krimi i organizuar.

“Të miratohet vendimi që përcakton masën, procedurën dhe rregullat për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës, si edhe të atyre që janë plagosur.

Ky vendim trajton të gjithë elementët, duke nisur nga ndihma e menjëhershme financiare, e cila shkon deri në 10 paga mujore të punonjësit të ndjerë të policisë. Më pas parashikohen pensioni, bursat e plota arsimore për fëmijët, si dhe punësimi me përparësi për familjarët.

Ajo që është më e rëndësishmja është edhe sigurimi i banesave falas për bashkëshortin/bashkëshorten dhe fëmijët e mitur të punonjësit që ka humbur jetën në detyrë.

Kjo është një zgjidhje shumë e mirë, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat dhe kapacitetet ligjore”, tha Lamallari.

Ai bëri të ditur gjithashtu se do të ratifikohet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, me qëllim kryerjen e procedurave të përbashkëta dhe lehtësimin e lëvizjes së udhëtarëve dhe automjeteve.

“Pikat e përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen në mënyrë të përbashkët mes veprimtarive për procedurat për turizëm më cilësor dhe ekonomi më të fortë. Do të shfrytëzojmë periudhën e testimit për të lehtësuar në praktikë kalimin e qytetarëve dhe mallrave”, tha Lamallari.