AKTUALITET, 20 Gusht 2020, 16:04

‘Shkojmë për bisedime jo për selfie’/ Rama na tregon se pse nuk ka shkuar në Minsk

Duke folur si kreu i OSBE-së, Edi Rama ka reaguar për deklaratat e politikanëve shqiptarë në lidhje me situatën në Bjellorusi.

Sipas tij, në Minsk nuk shkohet për selfie, por për të bërë bisedime mes qeverisë dhe opozitës.

‘Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë!

Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.

Dhe si gjithnjë, ndërkohë që BE-ja si e tërë e disa shtete kryesore të saj e kanë mbështetur nismën e Shqipërisë dhe po punojnë ngushtësisht me ne, prej ditësh për ta marrë mundësuar misionin atje, shqipet në fjalë hedhin glasa mbi Shqipërinë nga lartësia e padijenisë së tyre!

Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun.

Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t'i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë’, shkruan Rama në postimet e tij në Twitter.