AKTUALITET, 16 Prill 2019, 23:08

Shkëlqen Barcelona, Junajtid kapitullon para gjenialitetit të Mesit

Shkëlqen Barcelona, Junajtid kapitullon para gjenialitetit të Mesit


Barcelona rikthehet në gjysmëfinalet e Champions League pas katër vitesh. Katalanasit mundën në “Camp Nou” 3 –0 anglezët e Mançester Junajtid, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm të të dy sfidave në 4 – 0.

Mrekullia që Mançester Junajtid kreu në Paris, bëri që “djajtë e kuq” të shpresonin në një përsëritje të asaj nate magjike… Fatkeqësisht në ndryshim nga PSG, Barcelona ka një lojtar që nuk të lën të ëndërrosh, madje ata e njohin mirë pasi i ka bërë të derdhin lot në dy finale Champions-i.

Lionel Mesi shfrytëzoi një gabim të Eshli Jang në minutën e 16-të dhe më pas mori topin duke bërë atë lloj “magjije” që vetëm ai di ta bëjë. Katër minuta më vonë David De Gea i dhuron golin e dytë me një gafë trashanike.

Në pjesën e dytë rrugën e rrjetës e gjen Filipe Kutinjo që çon shifrat në 3 – 0. Tani Barcelonës i duhet të presë takimin e nesërm midis Liverpulit dhe Portos për të mësuar kundërshtarin e radhës.

Barcelona 3 – 0 Mançester Junajtid               

Shënues: Mesi 16’, 20’, Kutinjo 61