AKTUALITET, 15 Maj 2020, 22:09

Shfryhet lista e Veliajt/ Pas Kozeta Kurtit, një tjetër aktor mohon firmën për prishjen e Teatrit Kombëtar

Alex Seitaj është një nga 60 emrat e listës së parë të artistëve, për të cilët Bashkia e Tiranës pretendonte se kanë firmosur një peticion për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë që, vetëm pak minuta më parë, producentja Kozeta Kurti konfirmoi për Fax News se, nuk e kishte firmosur një peticion të tillë, edhe Alex Seitaj e konfirmon diçka të tillë.

Ai shkruan në rrjetet sociale se, nuk ka luajtur asnjë rol në skenën e Teatrit Kombëtar dhe mbase nuk do ta bëjë asnjëherë, duke shtuar se fati i godinës nuk i përket atij.

“Të nderuar miq. Po më bëjnë tag në një faqe e cila tregon emrat e personave që kanë firmosur për prishjen e Teatrit. Aty ndodhet edhe emri im. Publikisht shprehem se, nuk kam firmosur një dokument të tillë. Nuk mendoj se fati i Teatrit më përket mua për të vendosur e thënë troç, prish a jo unë nuk përfitoj ndonjë gjë, sepse nuk kam luajtur ndonjëherë në TK dhe mbase nuk do të luaj kurrë”, shkruan Seitaj.