AKTUALITET, 27 July 2026, 19:47

Shehaj mori dokumentin konfidencial të marrëveshjes me SHBA, reagon Rama: Prokuroria t’i tregojë vendin grabitësit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me incidentin e ndodhur në Kuvend, ku Agron Shehaj mori një dokument konfidencial dhe u largua me vrap.

Në reagimin e tij, Rama përdori një gjuhë të ashpër ndaj autorit të ngjarjes, duke e akuzuar për vjedhje dhe duke kërkuar që organet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit.

“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul ‘hajdut’ kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin.

Uroj, po nuk shpresoj, që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuara kësaj sorre vjedhacake të mbushur me urrejtje. Ndërkohë, i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme, duke falënderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, shkruan Rama në Facebook.