TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Banka Kombëtare e Serbisë ka vendosur t’i revokojë licencën e ushtrimit të aktivitetit bankar Alta Bank, me seli në Beograd, pas përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes së saj financiare.
Vendimi u mor më 30 tetor, pas kontrolleve të kryera nga autoritetet bankare, të cilat konstatuan probleme të rëndësishme me likuiditetin dhe rrezik për interesat e depozituesve.
Alta Bank është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili në mesin e muajit tetor u kthye nga aeroporti i Podgoricës, pasi autoritetet malazeze i refuzuan hyrjen në vend për arsye të sigurisë kombëtare.
Në njoftimin zyrtar, Banka Kombëtare e Serbisë bëri të ditur se, krahas revokimit të licencës, janë plotësuar kushtet për nisjen e procedurave të falimentimit. Administrimi i bankës i është kaluar Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Sipas autoriteteve, kontrollet e fundit treguan se gjendja financiare e bankës ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe se ekzistonte rreziku i një përkeqësimi të mëtejshëm të likuiditetit, çka mund të cenonte interesat e klientëve.
Një nga prioritetet e procedurës është mbrojtja e depozituesve dhe garantimi i aksesit të tyre në fondet e siguruara. Autoritetet kanë bërë të ditur se depozitat do të kompensohen deri në kufirin prej 50 mijë eurosh.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave pritet të mundësojë pagesën e shumave të siguruara brenda shtatë ditëve pune, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, klientët do të informohen se në cilat banka mund të tërheqin depozitat e tyre dhe si do të trajtohen pretendimet e tjera financiare.
Banka Qendrore e Serbisë ka theksuar se nisja e procedurave të falimentimit nuk i çliron debitorët nga detyrimet financiare. Ata do të marrin udhëzimet përkatëse për vijimin e pagesave ndaj bankës.
Autoritetet serbe deklarojnë se masa synon të mbrojë depozituesit, të parandalojë përhapjen e pasojave negative në ekonomi dhe të ruajë stabilitetin e sistemit financiar.