TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Andi Bushati
Monika Kryemadhi ka lëshuar sot një apel në protestën e Unazës së re, që kompania Salillari dhe Edi Rama të mos guxonin të prishnin shtëpitë e banorëve. Ajo shtoi aty për aty se kjo firmë ndërtimi rrugësh; “po i merr të gjitha, që mos u ngoptë inshalla” .
Tani me dokumenta ne kemi të vërtetuar se tenderi 40 milionë eurosh i Unazës së re është zhvilluar me një garë fiktive, ku një ndërtues i vetëm, vëllezërit Hysa, ka marrë pjesë në garat e tre loteve të kësaj rruge, gjithsej 2.2 kilometra, duke zhdukur çdo lloj konkurence.
Natyrisht këtu gjithkush mund të dyshojë se kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive. Gjithëkush mund të hamendësojë, po ashtu, se sa miliona euro mund të ishin kursyer nga një tender i drejtë dhe se si ato mund t’i kishin kompensuar të gjithë banorët që sot po flaken në rrugë.
Pra, siç shikohet, deri këtu ironia është threrëse.
Nga njëra anë kemi Rilindjen që tregohet dorëlëshuar me klientët e saj që fryjnë faturat e tenderave fiktivë, megjithëse bëhet cingune për dëmshpërblimet e qytetarëve të mjerë që do tu shembë shtëpinë.
Në anën tjetër kemi LSI-në (pa përjashtuar këtu edhe demokratët) që i bën thirrje ish klientëve të saj që tani po punojnë me Ramën: “Boll se nuk u ngopët”.
Por kulmi i kulmeve të kësaj balloje me maska gjendet diku tjetër. Atë e zbulova papritur duke lundruar në internet, për të zbuluar lidhjet e kompanisë Salillari me pushtetet e ndryshme politike. Dhe imagjinoni ç’më doli para syve. Një video e botuar nga ERTV Shiko video poshte), ku Edi Rama shfaqej në rolin e bamirësit. Ai kishte qenë disa muaj më parë në Marikaj të Vorës, ku si kryeministër i një vendi të begatë, paskësh zbuluar një familje në skamje.
Natyrisht, kryeministrit që i digjet shpirti për të varfërit (kjo qe një nga slloganet e ardhjes së tij në pushtet në 2013) nuk mund t’a duronte këtë. Prandaj ai ndërmori një nismë. Ti ndërtonte shtëpinë asaj familjeje dhe të punësonte kryetarin e saj.
Këto premtime të bëra realitet duken edhe në videon e transmentuar në ERTV. Shtëpia po ndërtohet dhe i zoti i saj tashmë ka veshur jelekun e punës në një firmë ndërtimi.
Por, po ti shikosh pamjet me kujdes, vëren një tallje të madhe. Ai burrë i ngratë është punësuar tek Salillari dhe shtëpinë e tij po ringre nga e para po kjo firmë. Pra e njëjta që nga Monika akuzohet se po rëmben gjithçka, nga Edi rklamohet si bamirëse.
Me një llogari të thjeshtë del se shtëpia e Marikajt, po ndërtohet me një thërmijë nga milionat që “tepruan” nga tenderi zemërgjerë i Unazës së re, i cili po hedh në rrugë të madhe së paku 317 familje.
Dhe këtu sakrazma mbërrin kulmin.
Sepse, loja politike me kundërshtarët që akuzojnë njëri tjetrin se po vjedhin me të njëjtët klientë, merr fund.
Pas saj, po hyjmë në një fazë të re, ku këta oligarkë që kanë bërë namin dhe majtas dhe djathtas, shiten si vlera. Motoja e kësaj fabule është e thjeshtë: ne ju fusim thikën deri në palcë, po ama nuk ju lëmë të vdisni për bukën e gojës. Ne jemi ata që zhysim në xhepa paratë e qindra familjeve që u prishen shtëpitë, por publiku duhet të na njohë si bamirës të të varfërfërve.
Pikërisht kjo është faza terminale e një procesi të kahershëm degjenerimi. Ndërsa për vite me radhë Salillari e ka bërë emrin e tij të rimojë me të gjithë liderët që i kanë lënë vendin njëri tjetrin, tani, në kohën e dyshes Salillari-Ramallari, po kërkohet ti jepet kësaj lidhjeje edhe një tis fisnikërie. Jemi në pikën kur grabitësit po tentojnë të hiqen si bamirës, duke i trajtuar tre milionë shqiptarë si idiotë.
Lapsi.al