AKTUALITET, 22 July 2026, 11:23

"S'kemi një raport glorifikues"/ Gogu: Reforma në Drejtësi po konsolidohet, por sistemi përballet ende me sfida

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të Reformës në Drejtësi, ku vlerësimi i sistemit matet përmes përvojës së qytetarëve me drejtësinë e përditshme.

Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Gogu u ndal te raporti i fundit i Sundimit të Ligjit për Shqipërinë, i publikuar nga partnerët evropianë, duke theksuar se dokumenti vlerëson konsolidimin e reformës në drejtësi.

“Kemi hyrë në një fazë të re, ku përjetesa matet me atë që qytetari ndesh çdo ditë në sistemin e drejtësisë. Nuk kemi një raport glorifikues, jemi këtu për të thënë atë çfarë ka ndodhur, të mirat dhe problemet në sistem”, tha Gogu.

Sipas ministrit, raporti i partnerëve evropianë e cilëson Reformën në Drejtësi në Shqipëri si një proces që po konsolidohet dhe vlerëson pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor.

“Shqipëria po konsolidon Reformën në Drejtësi. Ky është pohimi kryesor i atij raporti. Raporti e vlerëson si një etapë historike, si konsolidim të pavarësisë dhe si integritet të sistemit gjyqësor”, u shpreh ministri.

Gogu përmendi gjithashtu punën e Gjykatës së Lartë dhe nisjen e procesit të digjitalizimit si dy elementë të rëndësishëm të progresit në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, digjitalizimi do të sjellë më shumë transparencë dhe eficencë, duke reduktuar pasigurinë e qytetarëve për ecurinë e dosjeve të tyre.

“Do të kemi më shumë transparencë, më shumë eficencë në sistemin gjyqësor, që do të thotë më pak qytetarë që presin në gjykata pa e ditur se çfarë po ndodh me dosjet e tyre”, deklaroi ai.

Megjithatë, ministri theksoi se progresi nuk duhet të shërbejë si arsye për vetëkënaqësi dhe se raporti evidenton edhe problematikat që kërkojnë zgjidhje.

Sipas Gogut, ndër sfidat kryesore mbeten vonesat në proceset gjyqësore, vakancat në sistem, forcimi i mëtejshëm i luftës kundër korrupsionit dhe rritja e besimit të qytetarëve te drejtësia.

“Ne nuk lexojmë vetëm arritjet, duhet lexuar raporti i tëri”, përfundoi ministri i Drejtësisë.