BOTA, 29 Korrik 2021, 18:27

Rikthehen përleshjet në Siri, 16 të vrarë në konfliktin midis ushtrisë dhe militantëve

Rikthehen përleshjet në Siri, 16 të vrarë në konfliktin


Të paktën 13 ushtarë dhe guerilë, si dhe tre civilë, u vranë sot në përleshjet në provincën Deraa, Siri e cila është tronditur nga luftimet e ashpra midis forcave të regjimit sirian dhe luftëtarëve vendas, më të këqijat në rajon që kur zona u rimarrë.

Provinca Deraa, djepi i kryengritjes kundër Presidentit Bashar al-Assad, rimori kontrollin e regjimit në verën e vitit 2018. Megjithatë, pas një marrëveshjeje të paparë, rebelëve të opozitës iu lejua të qëndrojnë atje. Që atëherë, ka pasur sulme dhe përplasje të shpeshta me forcat e regjimit në zonë.

Situata u përshkallëzua përsëri sot, me “përplasjet më të dhunshme që kur rajoni u vu nën kontrollin e regjimit”, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Forcat e regjimit qëlluan me predha ndaj të gjithëve dhe u përpoqën të përparonin për të sulmuar Deraa al-Balad, një lagje e madhe dhe bastion i ish-rebelëve. Në shenjë hakmarrjeje, njerëz të armatosur filluan një kundërsulm dhe zunë shumë pozicione të regjimit në këtë krahinë.

“Tetë ushtarë sirianë dhe luftëtarë të milicisë u vranë në përleshje,” tha Observatori, duke shtuar se të paktën 40 luftëtarë pro-qeveritarë ishin kapur gjatë luftimeve. Pesë rebelë sirianë dhe tre civilë, përfshirë një nënë dhe fëmijën e saj, u vranë gjithashtu nga zjarri i artilerisë siriane në pjesë të ndryshme të provincës.

Gazeta pro-qeveritare Al-Ëatan flet për “fillimin e një operacioni ushtarak kundër terroristëve” të cilët “sabotuan marrëveshjen e pajtimit 2018”.

Shumë zona të Deraa, një provincë në kufi me Jordaninë dhe Izraelin, ende gëzojnë një autonomi relative.

Që nga viti 2011, lufta në Siri ka marrë jetën e më shumë se 500,000 njerëzve dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.