AKTUALITET, 30 Dhjetor 2019, 17:53

Rama u drejtohet shqiptarëve: Nuk kam rënë nga qielli, por më shihni në sy

Rama u drejtohet shqiptarëve: Nuk kam rënë nga qielli, por

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të gjatë sot në vigjilje të ndërrimit të viteve duke iu drejtuar qytetarëve shqiptarë drejtpërdrejt për të folur për të gjitha shqetësimet e problemet e këtij viti dhe projektet e vitit të ardhshëm. Rama u ka kërkuar shqiptarëve ta shohin në sy teksa ka folur për veten e tij, duke pranuar modestisht të metat dhe deklaruar se “nuk ka gabuar asnjëherë qëllimisht”.

“Duke qenë se i erdhi radha edhe prioritetit të fundit të vitit 2020, kërkoj të më shikoni në sy: dy fjalë për veten time. Nuk jam i rënë nga qielli, nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta, përkundrazi kam më shumë se ju, ndoshta sepse jam i gjatë. Nuk më ka thënë mendja se jam i pagabueshëm, probabilitetin e gabimit e kam më të madh se sa ju por asnjëherë nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm për të përfituar”– tha Rama.

Në mesazhin e tij të gjatë, kreu i qeverisë tentoi të shfaqej ndryshe, si një kryeministër me dorë në zemër duke u ofruar shqiptarëve “kulaçin” edhe pse në 364 ditët e tjera nuk ka munguar “kërbaçi”.

“Kush më njeh më nga afër, kush punon me mua e di se nuk këmbëngul në një drejtim apo opinion të gabuar. I dëgjoj argumentet, kur janë bindëse tërhiqem, kam kërkuar dhe ndjesë publike në ndonjë rast të caktuar, nuk më kujtohet se e ka bërë ndonjë paraardhësi im por nuk është ky metri me të cilin mat veten” – tha Rama që më pas foli edhe për premtimet e pambajtura.

“Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam mbajtur në kohë por në asnjë rast të vetëm nuk kam premtuar diçka duke e ditur që nuk bëhet, për të kaluar radhën, kurrë. E para sepse nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota por jam i racës së atyre që në politikë i ka futur ëndrra për ndryshim.

Pse do duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë kur me forcën politike që udhëheq kundërshtarët mund t’i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa për të jetuar. Këtë detyrë që kam e jetoj si privilegjin më të madh që mund t’i jepet njeriut të udhëheq popullin e vet në rrugën e së ardhmes”, – deklaroi kryeministri Rama.