AKTUALITET, 20 Qershor 2018, 19:43

Rama tërhiqet përkohësisht nga ideja për të vendosur taksë për pronarët e TV-ve

Rama tërhiqet përkohësisht nga ideja për të vendosur

Edi Rama është tërhequr tani për tani nga vendosja e një takse për qytetarët shqiptarë që do të kalonte në xhepat e pronarëve të mediave. Pas konsultimeve të njëpasnjëshme me drejtuesit e TV kryesore në vend, të cilëvë u ka premtuar se do të gjejë një mënyrë për t’u dhuruar para, kryeministri duket se ka bërë një hap pas.

Justifikimi formal i kësaj inisiative po përpunohet në ministrinë e financave e cila ka përgatitur edhe një tekst që përligj tërheqjen: “Në përgjigje të shkresës së dërguar nga AMA nëpërmjet së cilës propozohet një ndryshim në ligjin nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk shprehet dakord me propozimin, parë në këndvështrimin buxhetor.

Financat argumentojnë se tarifa e vendosur për përdorimin e aparateve televizive, përbën një nga burimet e financimit të veprimtarisë së Radio Televizionit Shqiptar, i cili është person juridik publik, jo fitimprurës, që kryen shërbimet e transmetimit publik në fushën e shërbimeve audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë dhe si rezultat, tjetërsimi i destinacionit të tarifës për mbështetjen e aktivitetit të televizioneve private denatyron qëllimin e vendosjes së kësaj tarife” mësohet se është shkruar në këtë njoftim.

Pronarët e gjashtë TV-ve, nën kryesinë e kreut të shoqatës së mediave elektronike Aleksandër Frangaj dhe firmosur nga Vjollca Hoxha, Irfan Hysenbelliu, Ylli Ndroqi, dhe Karlo Bolino kërkonin të rëmbenin rreth 10 milionë euro duke shtuar taksën që qytetarët paguajnë për aparatin e televizorit që mbajnë në shtëpi. Por me sa duket pas reagimeve ndërkombëtare qeveria ka bërë një hap pas nga ky version. Ende nuk dihet si se ç’formë do të shpikë kryeministri për tua dhënë paratë e premtuara bosëve të TV, por tani për tani mund të thuhet se ky version vjedhje skandaloze është arkivuar.