AKTUALITET, 31 Maj 2019, 21:27

Rama përdor Kuranin për të shigjetuar opozitën: Mos dilni nga shtegu i zotit!

Rama përdor Kuranin për të shigjetuar opozitën: Mos dilni

Kryeministri Edi Rama ka shtruar këtë mbrëmje darkën e iftarit me përfaqësues të komuniteteve fetare dhe përfaqësuesit e selive diplomatike në Shqipëri.

Por në këtë darkë karakteristike, Rama nuk ka lënë pa thumbuar kundërshtarët politikë, të cilëve u ka drejtuar mesazhe duke cituar Kuranin.

“Kurani nuk i përjashton kundërshtarët, i nënkupton si pjesë e jetës, por thotë luftoni kundërshtarët, por pa dalë nga shtegu i Zotit dhe mos u bëni faqezinj dhe bukëshkalë se Zoti nuk i do bukëshkalët. Lufto vetëm në shtegun e Zotit dhe përgjegjës je për vetën tënde dhe sjelljen tënde.

Dhe shtegu u Zotit për ata që s’besojnë është ai i arsyet. Zoti të ndihmon për këdo që për shtegun e arsyes kërkon ndihmë dhe i ndriçon arsyen dhe kujtdo që i drejtohet pa i diktuar se çfarë duhet të besojë dhe kë duhet të besojë”, tha ai.

Kryeministri më tej ka thënë se darkën e Iftarit donte ta organizonte në ambiente të hapur, por ata që e ndihmuan në këtë event nuk e dëgjuan, pasi sipas tij iphoni tregonte se do binte shi.

Por Rama edhe në mbyllje të fjalës së tij, i ka lëshuar sërish mesazhe kundërshtarit politik, Lulzim Basha që të dëgjojë zërin e arsyes pasi sipas tij pushtetet ndërrohen.

“Në fund fare dua t’ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj. Në këtë sofër tradicionale për ne, që e shtrojmë këtu sepse organizatorët që më ndihmojnë kishin parë në iphone që do bjerë shi, unë i thash që shi nuk ka.

Unë i thash që shi nuk ka, por dëgjuan iphonin dhe shi nuk ra, dhe qielli është i hapur, por pak rëndësi ka edhe atje edhe këtu jemi të rrethuar nga mure që rrezatojnë histori pushtetesh dhe që na mësojnë nëse kemi veshtë të dëgjojmë që pushtetet ndërrohen, por shtegu i arsyet mbetet dhe kush prej tij devijon, humb pushtetin mbi vetveten.

Qoftë dhe kjo banesë meditimi sot e kthyer në të tillë për shkak të sofrës së Iftarit një shëmbëlltyre dhe paqe dhe dasht Zoti edhe më gjere”, tha Rama./PANORAMA