AKTUALITET, 31 Dhjetor 2020, 18:32

Rama mesazh për Vitin e Ri: 2020 ishte viti ynë më i vështirë. Çfarë na pret në 2021!

Rama mesazh për Vitin e Ri: 2020 ishte viti ynë më i

Me një mesazh optimist se më të keqen e kemi lënë pas dhe më të mirë e kemi para, kreu i qeverisë Edi Rama i është drejtuar qytetarëve shqiptarë me urimin në ditën e fundit të vitit 2020. Rama deklaroi se ky vit ishte i vështirë për të gjithë shqiptarët duke e cilësuar një lloj sfide nga ato që rrëzojnë në tokë edhe elefantët.

“Po mbyllet edhe ky vit dhe si asnjë vit tjetër festat po i kalojmë të mbyllur në shtëpi. As meshat e mesnatës së Krishtlindjeve nuk ndodhën dot, as mesnata e fishekzjarreve në mesnatë nuk do të ndodhë këtë herë. Ky ishte viti më i vështirë Për ne shqiptarët ardhja e armikut të padukshëm ishte një kafshatë thuajse e pakapërdishme pas atij tërmeti katastrofik. Humbje jetësh bashkë me një presion psikologjik.

Gjyshër dhe gjyshe të kërcënuar në jetën e tyre, fëmijë të penguar, të rinj të pamundur në shkollim, prindër të ndaluar në punën e tyre. Ky vit ishte një lloj sfide nga ato që thonë se rrëzojnë elefantë dhe jam kaq krenarë për të gjithë ju njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Falë tyre dhe falë bluzave të bardha ne luftuam dhe po luftojmë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se pas tërmetit na goditi pandemia e COVID, duke u ndalur pikërisht te vaksina për të cilën theksoi se do të jetë falas dhe jo e detyrueshme. Rama shtoi se grupet e para që do të vaksinohen do të jenë ato më të riskuarat, nisur pikërisht nga bluzat e bardha, mësuesit dhe efektivët e policisë.

“Ne qëndruam dhe i rezistuam tërmetit. Shkollat e shembura po rilindin më të bukura. Po rilindim përditë më të bukura dhe më të forta dhe shtëpitë e goditura nga tërmeti. Ne po hapim dyert e shtëpive për ta njëra pas tjetrës. Puna vazhdon çdo ditë, çdo natë falë 25 mijë punëtorëve të angazhuara si një trup i vetëm deri kur të hapet dera e fundit për familjet e prekura nga tërmeti. Tani vazhdon lufta për të siguruar vaksinën dhe për të nisur vaksinimin fillim vitin e ardhëm sipas planit strategjik të hartuar që si kudo në botë do të nisim me grupet më të rrezikuara, bluzat e bardha menjëherë, mësuesit efektivët e policisë. Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme”, u shpreh Rama.