AKTUALITET, 15 Shtator 2021, 08:54

Rama: 280 mijë nxënës do ti marrin tekstet shkollore falas

Rama: 280 mijë nxënës do ti marrin tekstet shkollore falas

Qeveria shqiptare do të pajisë 280 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve me tekste shkollore falas.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama ku përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se nxënësit do të mësojnë me botimet prestigjoze të “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”.

Postimi i Edi Ramës:

MIRËMËNGJES dhe me shpërndarjen e teksteve shkollore falas, që vijon për të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 dhe nxënësit e kategorive në nevojë edhe në klasat 10-12, çka bën që qeveria shqiptare të mbështesë këtë vit shkollor me libra falas 280 mijë nxënës përfitues, të cilët do të mësojnë me botimet prestigjioze të “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”, ju uroj një ditë të mbarë.

Ministria e Arsimit ka bërë shtesa në udhëzimin e shpërndarjes së teksteve shkollore për klasën e tetë dhe të nëntë. Shtyrja e nisjes së vitit të ri shkollor, u ka dhënë më tepër kohë shtëpive botuese dhe shkollave të pajisin me libra nxënësit e të gjitha klasave, përfshirë dhe rakordimin e faturave që do të duhet të bëhet për ato që përfitojnë tekste falas, në arsimin e detyruar 9-vjeçar, si dhe disa kategori të caktuara në arsimin e mesëm.

Përmes një udhëzimi të posaçëm, Ministria i porosit distributorët të ruajnë faturat me qëllim rimbursimin e shumës në përfundim të procesit.

“Shtëpitë botuese/distributorët duhet të lëshojnë për zyrën vendore të arsimit parauniversitar përkatëse, faturën tatimore të shitjes sipas legjislacionit në fuqi, për sasinë e teksteve shkollore të shitura, pjesë e katalogut, sipas porosisë së kryer për çdo institucion arsimor i sistemit parauniversitar, pasi të kenë rakorduar me këto të fundit për të gjitha kategoritë që përfitojnë tekste shkollore falas”, citohet në udhëzim, duke shtuar që afati i fundit i dorëzimit të faturave, përjashtimisht, vetëm për këtë vit do të jenë datat 15 shtator.