AKTUALITET, 15 Prill 2019, 19:47

Pushtohet nga flakët Katedralja "Notre Dame" në Paris (Video)


Një zjarr i madh ka pushtuar katedralen e  famshme "Notre Dame" në Paris. Shkaku nuk është ende i qartë, por zyrtarët francezë, thonë se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e restaurimeve që po kryhen në katedrale.

Imazhet në rrjetet sociale, tregojnë shenja të tymit në ndërtesën gotike 850 vjeçare.

Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri një thirrje urgjente për fonde për të shpëtuar katedralen, e cila po degradonte.

Një operacion i madh është në proces për të shuar flakët, të cilat shpërthyen të hënën pasdite .

Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, e përshkroi atë si një “zjarr të tmerrshëm” dhe i nxiti njerëzit në vendngjarje që të respektojnë kufijtë e krijuar nga ekipet e zjarrëfikëseve.

"Notre Dame" konsiderohet si katedralja katolike më e bukur në botë.