AKTUALITET, 14 Nëntor 2019, 10:18

“Punonte 16 orë në ditë, kishte një vajzë”, fqinjët e Dashajt tregojnë për vrasjen në Vlorë: Ishte familjar, pa probleme

“Punonte 16 orë në ditë, kishte një vajzë”,


Fqinjët e Kreshnik Dashajt, 34-vjeçarit që u vra një ditë më parë në qytetin e Vlorë kanë treguar se çfarë dinin rreth të ndjerit.

Ata janë shprehur se i ndjeri ishte baba i një vajzë 7 vjeçe dhe punonte 16 orë në ditë për të mbajtur familjen.

Ata tregojnë më tej se Dashaj ishte një njeri i qetë, familjar dhe nuk kishin dëgjuar kurrë të kishte pasur probleme me njeri.

“Është nga Lubonja e Vlorës. Para 12 vitesh ka ardhur këtu. Paguhej pak dhe punonte dy turne, 16 orë në ditë për të mbajtur familjen,”- shprehet njëri.

“Ka qenë edhe emigrant në Greqi. Ishte njeri familjar, s’kishte problem. Na erdhi habi dhe shumë keq kur mësuam ç’kishte ndodhur. Ka një vajzë 7 vjeçe i shkreti,”- shprehet një tjetër.

Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e vrasjes së 34-vjeçarit, i cili u gjet i pajetë një ditë më parë pranë banesës së tij. Çështja është marrë në dorë nga Krimet e Rënda dhe dyshohet se gjithçka ka ardhur pas një sherri me familjarët e tij.

Kreshnik Dashaj u la i vdekur pak pas mesnatës së djeshme, pranë banesës së tij teksa persona ende të paidentifikuar e kishin qëlluar me armë zjarri në shpatull.

Fillimisht u raportua se 34-vjeçari kishte ndërruar jetë për shkak të problemeve me zemrën, por ekspertiza e plotë mjeko-ligjore, zbardhi plumbin në shpatull.

/Panorama