AKTUALITET, 4 Shtator 2020, 18:56

Publikohet dokumenti i plotë i marrëveshjes ekonomike, Kosovë-Serbi

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot më 4 shtator marrëveshjen historike në Uashington. Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë marrëveshje thuhet se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizimin ekonomik mes dy vendeve.

Po ashtu njëra ndër pikat është se dy palët do të përfshihen në të ashtuquajturën Zonën Mini-Shengen. Dy vendet do të punojnë me SHBA për “Hekurudhën e Paqes”, për lidhjen mes Prishtinës, Merdarës dhe Nishit. Po kështu sipas marrëveshjes së nënshkruar, dy vendet do të njohin mes tyre diplomat e certifikatat profesionale. Të dyja palët nuk do të lejojnë përdorimin e 5G.

Një pikë e rëndësishme për të cilën palët kanë rënë dakord është edhe identifikimi i mbetjeve të të zhdukurve. Pika e parafundit thekson se Kosova është pajtuar që për një vit të shtyjë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia për një vit të pezullojë fushatën dhe lobimin kundër njohjes së shtetit të Kosovës.

Ndërsa, pika e fundit tregon se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar që të njohin njëra-tjetrën. Dy vendet do konsiderojnë organizatën Hezballah terroriste.